Bota e Formula 1 ka tashmë një mbret të ri. Lando Norris fiton titullin kampion për herë të parë, duke përfunduar hegjemoninë e Max Verstappen.  Në pistën e Abu Dhabit u mbyll të dielën sezoni i Formulës 1 me emocione deri në xhiron e fundit. Max Verstappen dominoi garën dhe siguroi fitoren e tij të tetë sezonale, por protagonisti i ditës ishte Lando Norris, i cili me vendin e tretë u shpall kampion bote për herë të parë në karrierë.

Britaniku i McLaren përfundoi Botërorin me vetëm dy pikë avantazh ndaj Verstappenit — 423 ndaj 421 — duke hyrë në histori si kampioni i 35-të i Formula 1. Mes tyre u pozicionua Oscar Piastri, i cili mbylli garën i dyti dhe sezonin i treti me 410 pikë.

Pavarësisht fitores së qartë të Verstappen në pistë, strategjia dhe konsistenca e Norris gjatë kampionatit bënë diferencën. McLaren feston kështu një titull të shumëpritur, ndërsa sezoni 2025 mbyllet me një duel të paharrueshëm mes dy pilotëve. “Ishte një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i lumtur. Dua të falënderoj familjen time për suportin. Gjithashtu Max dhe Oscar dy rivalët e mi këtë sezon, me të cilët zhvilluam dule të paharrueshme”, ishin fjalët mes lotësh të kampionit 26 vjeçar të Formula 1.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: