Trembëdhjetë të burgosur u gjetën të vdekur në një burg në jugperëndim të Ekuadorit, ku së fundmi janë kryer disa vrasje, njoftoi shërbimi korrektues SNAI.

Në total, 44 persona kanë humbur jetën në këtë burg brenda një muaji. Sipas SNAI-t, shkaqet e vdekjeve do të përcaktohen nga autopsia. Trupat u gjetën ditën e djeshme nga policët që hynë në burgun e Macala-s pasi një pajisje shpërthyese u aktivizua në hapësirën e jashtme të tij.

Rreth një muaj më parë, 31 persona u vranë në këtë burg, disa prej tyre duke u mbytur. Në fund të shtatorit, në përleshje të armatosura u vranë edhe 14 të tjerë.
Burgjet e Ekuadorit janë shndërruar në baza të bandave rivale të trafikut të drogës. Nga përplasjet mes tyre, që prej vitit 2021, janë vrarë pothuajse 500 persona.

Në vitin 2024, burgjet u vendosën nën kontrollin e ushtrisë, pasi presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e konfliktit të armatosur kundër rreth 20 organizatave kriminale të lidhura me kartelet ndërkombëtare të drogës.

Megjithatë, në gusht të kaluar, tetë prej tyre, përfshirë edhe atë të Macala-s, kaluan në kompetencat e policisë. Trazirat më të rënda në një institucion korrektues ndodhën në vitin 2021, kur mbi 100 të burgosur u vranë në një burg në Guayaquil.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb