Sllallomi gjigant nuk po rezulton arma e fortë e Lara Kolturit në këtë sezon të Kupës së Botës në ski alpine. 19-vjeçarja italiane që garon për Shqipërinë mori pjesë gjatë fundjavës në dy gara të sllallomit gjigant në Tremblant të Kanadasë, ndalesa e pestë sezonale e Kupës së Botës.

Lara garoi fillimisht të shtunën, duke mos arritur që të shkojë më tepër se vendi i 23-të, teksa regjistroi kohën 2:19.48, me diferencë +3.30 nga fituesja e garës, Alis Robinson e Zelandës së Re. Më tej, Kolturi u rikthye në konkurrim të dielën për garën e dytë të sllallomit gjigant, ku edhe pse pati një përmirësim në rezultat, nuk arriti që të futej në top-10.

Kështu Lara shënoi kohën 1:08.78 në zbritjen e parë dhe 1:06.67 në zbritjen e dytë, duke e mbyllur me rezultatin e përgjithshëm 2:15.45, për t’u klasifikuar në vendin e 15-të, me diferencë +2.45 nga austriakia Julia Sheib, fituese e garës. Megjithatë, edhe pas etapës në Kanada, Lara Kolturi mbetet në vendin e dytë në renditjen e Kupës së Botës, pas amerikanes Mikaela Shifrin.

Kolturi tashmë ndodhet në kuotën e 302 pikëve, ndërkohë që Shifrin është lidere me 458 pikë në klasifikimin e përgjithshëm. Në vendin e tretë ngjitet Alis Robinson, e cila deri më tani ka grumbulluar 292 pikë. Etapa e radhës e Kupës së Botës transferohet në Zvicër më datat 10-14 dhjetor.

Screenshot 2025-12-08 170011

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb