Në një kohë kur kërcënohet mundësia e një lufte ushtarake të përgjithshme dhe me një “luftë hibride” që po zhvillohet nga Rusia, sipas akuzave të Europës, Britania ka prezantuar një strategji të re për Atlantikun.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë deklaroi se kjo është një “përgjigje e menjëhershme ndaj rritjes së aktiviteteve të nëndetëseve ruse dhe mjeteve të tjera, përfshirë anijen spiunazhi Yantar, e cila u lokalizua muajin e kaluar në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.”
SG-1 Fathom është një mjet autonom nënujës, që Ushtria Detare Britanike po e teston për të identifikuar dhe trajtuar aktivitete të dyshimta nënujore, kryesisht nga nëndetëset ruse që veprojnë në ujërat britanike.
“Fathom patrullon pa ndalim në thellësi, dëgjon dhe monitoron për çdo kërcënim të mundshëm,” shpjegon Katie Raine, drejtoreshë e programit në kompaninë Helsing, që ka ndihmuar në ndërtimin e këtij droni të avancuar.
Sensorët e tij mbledhin vazhdimisht të dhëna, të cilat analizohen nga një program inteligjence artificiale, i trajnuar me dekada të dhënash akustike.
Qëllimi është njohja e kërcënimeve më shpejt se çdo ekuipazh njerëzor.
Fathom është vetëm një pjesë e planit të ri strategjik, i quajtur Atlantic Bastion, që do të prezantohet zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes.
Ky plan përfshin një rrjet të gjerë dronësh, anijesh luftarake, helikopterësh dhe avionësh mbikëqyrës, të krijuar për të mbrojtur infrastrukturat nënujore kyçe të Mbretërisë së Bashkuar.
Me rritjen e aktiviteteve ruse, mbi 30% më shumë në dy vitet e fundit, sipas qeverisë, nevoja për forcimin e mbrojtjes është bërë urgjente.
Në vitet e fundit, nëndetëset dhe anijet speciale ruse, si Yantar-i i famshëm, janë akuzuar për tentativën e hartimit të kabllove dhe gazsjellësve britanikë, një veprim që ka shqetësuar thellësisht autoritetet. Komiteti i Sigurisë Kombëtare ka paralajmëruar se një sulm ndaj këtyre rrjeteve mund të shkaktojë “dëmtimin katastrofik” të sistemeve financiare dhe të komunikimit të vendit.
Tensionet u rritën kur Yantar akuzohet se ka drejtuar një lazer ndaj pilotëve të RAF (Forcat Ajrore Mbretërore Britanike), të cilët po monitoronin aktivitetet e tij.
Në anijen eksperimentale XV Patrick Blackett, u demonstruan teknologji të reja në veprim: anije të shpejta pa ekuipazh, helikopteri i ri i paqeverisur Proteus dhe Excalibur, një dron nëndetës 12 metra i gjatë, me peshë 19 ton. Të gjitha këto janë pjesë e përpjekjes për të ruajtur superioritetin teknologjik ndaj Rusisë.
Admirali Sir Gwyn Jenkins nuk e fsheh shqetësimin e tij. “Ne ende mbajmë epërsinë në Atlantik, por ajo po zvogëlohet.” Ai theksoi se Rusia, përkundër kostos ekonomike të luftës në Ukrainë, vazhdon të investojë “qindra miliarda dollarë” në flotën e saj nëndetëse.
Nga ana e saj, Rusia i quan shqetësimet e Britanisë “histerike” dhe beson se Britania po kërkon të rrisë tensionet brenda kuadrit të NATO-s.
