Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj u shpreh i hapur për zgjedhje të reja në Ukrainë, por vetëm nëse ka kushte për zgjedhje demokratike. Më parë presidenti i SHBA-së Trump pati kërkuar zgjedhje të reja.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj mund të përfytyrojë zgjedhje në Ukrainë edhe në kushtet e luftës. Por për këtë duhet të përmbushen dy kushte: Duhet të krijohet një bazë ligjore dhe të garantohet siguria e zgjedhjeve, tha Zelenskyj para gazetarëve në Kiev.
Nëse plotësohen këto kushte, ai mund t’i kërkojë parlamentit që të përgatisë propozimet për një ndryshim të mundshëm të ligjit. Sepse në kushtet e ligjit të luftës, që është në fuqi, nuk janë të mundura zgjedhjet.
SHBA-së dhe partnerëve europianë Zelenskyj u kërkoi mbështetje që të mund të garantojnë sigurinë e zgjedhjeve. Nëse plotësohen këto kërkesa presidenti ukrainas mendon, se brenda 60 apo deri në 90 ditë mund të zhvillohen zgjedhjet.
Trump bashkohet me kritikën e Rusisë
Pezullimi i zgjedhjeve gjatë luftës sulmuese të Rusisë është kritikuar nga Rusia dhe së fundi edhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Në një intervistë për platformën Politico në SHBA Trump i është imponuar Ukrainës për zgjedhje të reja.
Ky vend po arrin “në një pikë, që nuk është më demokraci, tha Trump. Edhe Rusia vazhdimisht përhap pretendimin, se Zelenskyj për shkak të pezullimit të zgjedhjeve nuk ka më legjitimitet në post.
Shumë njerëz në Ukrainë i refuzojnë zgjedhjet gjatë luftës – edhe pse aktualisht është e paqartë, se sa mund të garantohen zgjedhjet në territoret e pushtuara nga Rusia ose në rajonet me luftime.
