Në ditën kur Kuvendi pritet të shqyrtojë paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane, organizata që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, ka dalë me një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”.

Sipas vlerësimit professional të Dhomës, evidentohen një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë të tillë si rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme; Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash; Ulje të cilësisë së administrimit tatimor; Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit dhe nxitje të skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta.

Dhoma thotë gjithashtu se drafti ka probleme ligjore dhe cënim të parimeve themelore të taksimit si dhe ka pasur mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm.

Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër kësaj nisme. Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber u shpreh së fundmi se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.

Drafti për “paqen fiskale”

Projektligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” përcakton se bizneset me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë që do të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për të parapaguar tatim fitimin për 1 vit me të drejtë rinovimi edhe 2 herë do t’u llogaritet mbi një bazë të tatueshme të rritur e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.

Përveç parapagimit të tatimit kundrejt mos kontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb