Bylis do të jetë kundërshtari i radhës i Vllaznisë në kampionat, me mallakastriotët që do të vizitojnë Shkodrën ditën e diel. Ku sfida do luhet në orën 16:30, në stadiumin “Loro Boriçi”, të kryeqendrës së veriut të vendit tonë.
Në këtë mënyrë kuqeblutë do të kërkojnë medoemos të rikthehen te fitorja, ku pas një periudhe prej 4 ndeshjesh radhazi ku nuk marrin pikët e plota në kampionat, të besuarit e Martinit kanë vetëm një objektiv në javën e 16- të të sezonit. Dhe ai është marrja e 3 pikëve dhe rikthimi i qetësisë në kampin shkodran, në një moment ku situata nuk është më e mira e mundshme, pasi skuadra nuk po gjen reagimin prej disa takimesh radhazi.
Duke shfaqur edhe një nivel loje jo të kënaqshëm përveç rezultateve që nuk kanë qenë aty ku priten në Shkodër. Me 9 herë kampionët e vendit tonë që kanë marrë vetëm 2 pikë nga 12 të mundshme në 4 javët e fundit të Superiores. Po ashtu ndaj Bylisit, kuqeblutë do të kërkojnë të ripërsërisin suksesin e fazës së parë, ku Vllaznia triumfoi 0-1 në Ballsh.
Që ngelet edhe fitorja e vetme jashtë fushe e shkodranëve deri në këto momente të edicionit 2025-26. Gjithashtu në shtëpinë e tyre, Vllaznia do të kërkojë të rikthehet sërish te fitoret dhe 3-pikëshat, ku ishte Teuta që prishi rekordin absolut të kuqebluve në shtëpi këtë edicion. Ku para humbjes 0- 1 ndaj durrsakëve, shkodranët kishin 6 ndeshje të zhvilluara në shtëpi ku kishin marrë 6 fitore. Një statistikë që do të kërkojnë ta ripërtërijnë pikërisht ndaj Bylisit ditën e diel, në javën e 16-të të edicionit.
