Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se theu masën e arrestit shtëpiak, ndërsa mashtroi duke i marrë lekët një gruaje me pretendimin se do i gjente shtëpi me qira. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet A. G., 34 vjeç, banues në Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Implikimi”. Theu masën e sigurisë dhe mashtroi, duke u prezantuar si agjent imobiliar, arrestohet 34-vjeçari që lëvizte me pistoletë sportive, në automjet, dhe posedonte një palë targa të vjedhura.

Sekuestrohen arma sportive dhe targat. Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një shtetaseje, se ishte mashtruar nga një shtetas që i ishte prezantuar si agjent imobiliar, dhe për këtë arsye i kishte dhënë një shumë parash për t’i gjetur një banesë me qira, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Implikimi”.

Gjatë operacionit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. G., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli në automjetin me të cilin shtetasi A. G. lëvizte në rrugën “Kastriotët”, në momentin e kapjes, u gjet 1 armë sportive (pistoletë) që mbahej pa leje, ndërsa nga kontrolli në banesën e këtij shtetasi u gjet një palë targa që nga verifikimet rezultojnë të vjedhura.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: