Aktivisti Aulon Kalaja njofton se ka depozituar në Gjykatën e Lartë rekursin lidhur me kallëzimin e bërë më herët në SPAK, për atë që ai e konsideron shkelje të ligjit nga ana e Këshillit të Ministrave.

Sipas Kalasë, qeveria ka miratuar faljen e gjobave administrative vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, veprim që, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin elektoral. Ai thekson se ligji shqiptar ndalon ndërmarrjen e politikave të tilla fiskale katër muaj para dhe katër muaj pas zgjedhjeve.

Kalaja shton se ky episod përmendet edhe në një paragraf të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet.

Kallëzimi i tij ka nisur që në muajin maj, por fillimisht është pushuar nga SPAK. Kalaja e ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila e ka rrëzuar kërkesën. I njëjti vendim është dhënë edhe nga Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Pas këtyre dy shkallëve, Kalaja e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, duke shprehur besimin se “do të bëhet drejtësi”.

Në deklarimin e tij, Aulon Kalaja theksoi se nuk do të tërhiqet. “Pa diskutim që do i shkoj deri në fund kësaj çështjeje”, shprehet ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb