Përfundon mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese për çështjen “Balluku”. Gjykata Kushtetuese vendosi të kalojë në seancë për shqyrtim ankimin e bërë nga Këshilli i Ministrave.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se gjyqtarët votuan 5 me 3 në favor të kalimit të rastit për shqyrtim.

Çështja u ankimua nga Qeveria, pasi GJKKO pezulloi nga detyra dhe i bllokoi pasaportën zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku e cila është marrë e pandehur nga SPAK për abuzime me tenderat si në rastin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërkohë që nuk i është prekur mandati i deputetes.

Balluku akuzohet nga SPAK se duke ndërhyrë në procedurat e prokurimeve, rriti me 50 mln euro koston e ndërtimit të tunelit të Llogarasë në tenderin e dytë.

Gjithashtu, si prova të forta për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, prokurorët e SPAK kanë në dorë komunikimet telefonike mes Belinda Ballukut dhe ish-vartësit të saj Evis Berberi, të cilin e udhëzon gjatë gjithë kohës për anulimin e tenderit të parë (140 mln euro) dhe zhvillimin e të dytit (190 mln euro) të cilin e fiton kompania turke.

Po ashtu, SPAK thotë se Balluku ka paracaktuar edhe tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb