Debati për Avokatin e Popullit vijon si para ashtu dhe pas zgjedhjes së titullarit të këtij institucioni mbrëmjen e kaluar me votat e mazhorancës në Kuvend. PS arriti 85 vota falë edhe PSD-së, ndërsa Redi Muçi i Lëvizja Bashkë, Ana Dajko e Shqipëria Bëhet dhe Artan Luku i listës së PD në Durrës votuan kundër. Opozita kontestoi procesin dhe kërkoi rikthimin e tij në pikën zero pasi kishte dhënë firmat për kandidatët, një lëvizje e dyshimtë kjo, ndërsa nuk mungojnë as aludimet më shumë për një bashkëpunim në heshtje mes PS dhe PD dhe më pak për rënien në “grackë” të opozitës për shkak të pavetëdijes, siç pretendohet.

Mazhoranca, disa javë më parë tha se nuk kishte asnjë pretendim për Avokatin e Popullit, duke ia lënë atë në dorë opozitës. 15 kandidatë dolën në skenë për të mbledhur firmat, mes tyre emra me background të djathtë, por edhe të majtë. Spikati emri i një prej përfaqësuesve të zëshme të opozitës, Adriana Kalaja e cila më pas dha dorëheqjen nga kryetare e Gjykatës së PD me qëllim nisjen e këtij rrugëtimi për të drejtuar një institucion kushtetues. Besim Ndregjoni nga ana tjetër pretendoi deri në stadin final të procesit se kishte mbështetjen e PD dhe të lidershipit të saj, Sali Berisha. Edhe Jola Hysaj vinte nga e djathta por me aktivizëm të gjerë në mbrojtjen e kauzave sociale. Por asnjëri prej 3 kandidatëve nuk mori mbështetjen ekskluzive të Partisë Demokratike.

Mes kandidatëve që kishte marrë firmat e deputetëve të PD ishte edhe Endri Shabani. Emri i tij kuptohet nuk ishte fort i pëlqyer nga opozitarët, por firmat shkuan në favor të tij dhe mësohet se mblodhi jo 28, aq sa rregullorja dhe ligji e kërkojnë, por plot 35. BalkanWeb sjell emrat e deputetëve të PD që dhanë firmat për Shabanin.

  • foto galeri

Në fazën finale, për votim në Kuvend shkuan 6 kandidatë për Avokat të Popullit, Endri Shabani, Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni, Aranita Brahaj, Tartar Bazaj dhe Skënder Haluca.

Pasi “kuptoi” se kishte rënë në “grackën” apo “kurthin” e socialistëve, PD, përmes grupit parlamentar njofton se tërhiqej nga firmat. Ky vendim nuk pati vlerë për PS dhe ndonëse të dy krahët e politikës e interpretuan ndryshe rregulloren e Kuvendit, mbrëmjen e 11 dhjetorit Parlamenti hodhi në votim 6 kandidaturat. Dukshëm të vendosur tanimë se kë do të çonin tek institucioni i Avokati i Popullit, PS arrin të mbledhë plot 85 vota, proces të cilin e ndoqi nga pranë edhe kryeministri Edi Rama. 5 kandidatët e tjerë marrin në masë vota kundër nga socialistët, ndërsa deputetët e PD kishin braktisur sallën e Kuvendit.

Edhe njëherë tjetër, PD nuk arrin dot t’i imponohet mazhorancës, dhe procesi i Avokatit të Popullit konfirmoi disfatën e përsëritur për opozitën si dhe mungesën e guximit për t’u sjellë kurajozë e të vendosur në raport me shumicën parlamentare, pavarësisht numrave në Kuvend.

Deputetët Firmëtarë nga PD:
Jorida Tabaku
Agron Gjekmarkaj
Oerd Bylykbashi
Enno Bozdo
Tomorr Alizoti
Klevis Balliu
Luçiano Boçi
Xhelal Mziu
Manjola Luku
Ledina Alolli
Kliti Hoti
Kastriot Piroli
Tritan Shehu
Klodiana Çopja
Saimir Korreshi
Artan Luku
Luan Baçi
Bujar Leskaj
Bledion Nallbati
Bardh Spahia
Arjan Ndoj
Besard Xhaferi
Igli Cara
Greta Bardeli
Ina Zhupa
Flamur Hoxha
Elda Hoti
Tedi Mula
Vangjel Dule
Isuf Çela
Besnik Brahimi
Shkurt Lasku
Fidel Kreka

Partia Mundësia
Agron Shehaj
Erald Kapri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb