Mblidhet sot Kryesia e Partisë Demokratike. Ashtu siç paralajmëroi dje Sali Berisha gjatë turit të takimeve me qytetarët, nga Elbasani bëri të ditur se nesër mblidhet kryesia e PD-së për të vendosur datën e fillimit të protestave.
Kreu i PD-së u ndal tek zgjedhjet 1 11 majit që i cilësoi farsë duke u shprehur se “zgjedhjet nuk janë zgjedhje kur qeveria përdor të gjithë forcën e ekzekutivit, me dhjetëra mijëra punësime të përkohshme, leje ndërtimi, certifikata pronësie, leje legalizimi e etj.,etj., për të marrë votat. Nesër në drekë mblidhet kryesia e PD-së. Vendoset me urgjencë për fillimin e revoltave e protestave”, u shpreh Berisha duke theksuar se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë.
Ai shtoi se; “Mund të mendojë ndonjëri, se njerëzit nuk janë gati, ata që janë gati, me ata do ngrihemi. Po 3000 shqiptarë janë gati që nesër, të dalin të përballen me ta. Dhe do shtohemi. Po nuk rrihet më. Nuk mund të rrimë ne në funksion të një farse. Janë diktaturat ato që do përfundojnë atje ku e kanë vendin. Po jo ne që luftojmë për ideale të larta njerëzore”, u shpreh Berisha.
Ai njëkohësisht nxiti anëtarësinë të afrojnë të rinjtë. “Duhet të bëjmë gjithçka për organizimin tonë dhe të rinjtë. Të rinjtë përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës. Ndaj duhet të angazhojmë të rinjtë tanë”.
