Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel për t’u shpallur jokompetente në çështjen e njohur si “Toyota Auris” shënon më shumë sesa një zhvillim procedurial. Ai ekspozon në mënyrë të drejtpërdrejtë kufijtë e hetimeve penale ndërkombëtare, mangësitë në ndërtimin e dosjeve për pastrim parash dhe rrezikun që raste me impakt të madh publik të përfundojnë pa asnjë përgjegjësi të qartë penale.

Rasti lidhet me sekuestrimin në portin e Durrësit të 3.366.700 eurove dhe 80.000 frangave zvicerane, të fshehura në dy automjete Toyota Auris që vinin nga Belgjika. Për vite me radhë, kjo dosje u perceptua si provë e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pastrimit të parave. Megjithatë, vendimi i Gjykatës belge tregon se, në thelb, hetimi nuk arriti të provojë elementin më themelor: vendin dhe momentin e kryerjes së veprës penale.

Juridiksioni penal nuk ndërtohet mbi supozime, por mbi lidhje konkrete territoriale. Pikërisht këtu dështon hetimi belg. Gjykata konstaton se nuk ekziston asnjë provë që paratë janë fshehur në territorin e Belgjikës, ndërsa indiciet e dosjes lënë të hapur mundësinë që kjo të ketë ndodhur në një shtet tjetër evropian. Itinerari i paqartë i transportit të automjeteve dhe ndalesat në disa vende e përforcojnë këtë pasiguri faktike.

Po aq domethënëse është mënyra se si Gjykata i rrëzon elementet mbi të cilat ishte mbështetur prokuroria belge. Blerja dhe shitja e automjeteve në Belgjikë, e trajtuar si hallkë lidhëse e aktivitetit kriminal, cilësohet si akt neutral, në mungesë të provave për qëllim kriminal. Edhe pretendimet për falsifikim dokumentesh rezultojnë pa efekt juridik në territorin belg, duke dobësuar edhe më tej arkitekturën e akuzës.

Në këtë kontekst, fakti që vetë Prokuroria belge pranon mungesën e provave të mjaftueshme për personat rezidentë në Belgjikë është një tregues i qartë se dosja nuk ka arritur nivelin minimal për një gjykim penal të qëndrueshëm. Praktikisht, një nga pistat kryesore ndërkombëtare të çështjes “Toyota Auris” mbyllet pa rezultat.

Por pasojat e këtij vendimi shkojnë përtej kufijve të një shteti të vetëm. Çështja “Toyota Auris” shndërrohet në një rast studimor mbi dështimin e koordinimit ndërkombëtar, ku prova, juridiksioni dhe kompetenca nuk janë ndërtuar në mënyrë koherente. Ajo nxjerr në pah një problem strukturor: kur përgjegjësia penale shpërndahet në disa shtete, ekziston rreziku real që të mos materializohet askund.

Megjithatë, dosja “Toyota Auris” prodhoj viktimat e veta në Shqipëri; katër persona të proceduar për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ne vitin 2024 dhe për një periudhë shtatë vjecare ajo ushqim për arenën e politikës shqiptare dhe asaj belge.

Në fund, dosja që u promovua si simbol i luftës kundër pastrimit të parave dhe si sfida e integrimit të Shqipërsië në Bashkimin Evropian, përfundon si një shembull i kundërt: një hetim i fragmentuar, pa territor të qartë, pa prova dhe pa përgjegjësi penale të individualizuar. Për opinionin publik, kjo është një kambanë e fortë se lufta kundër krimit të organizuar nuk matet me shuma të sekuestruara apo tituj mediatik, por me cilësinë e hetimit dhe qëndrueshmërinë juridike të argumentave të mbështetura në prova.

*Avokat

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb