Një ngjarje tragjike ka tronditur një zonë rurale në Indi, ku një djalë katërvjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një leopard pranë shtëpisë së tij. Sipas raportimeve lokale, incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje, në momentin kur gjyshja dhe babai i fëmijës kishin dalë për të ushqyer kafshët. Fëmija ndodhej në hyrje të shtëpisë kur një leopard, që dyshohet se ishte fshehur aty pranë, e sulmoi papritur.

Gjyshja ndërhyri menjëherë dhe u përpoq ta shpëtonte nipin nga dhëmbët e grabitqarit, por plagët e rënda që i shkaktoi leopardi rezultuan fatale dhe fëmija ndërroi jetë pak më vonë. Mësohet se nëna e djalit e kishte braktisur atë në moshë shumë të vogël, ndërsa prej asaj kohe ai ishte rritur nën kujdesin e gjyshes dhe babait të tij. Ngjarja ka shkaktuar frikë dhe zemërim të madh mes banorëve të zonës, të cilët shprehen të shqetësuar për praninë e leopardëve pranë vendbanimeve. Qytetarët po kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet dhe eliminimin e leopardit që kreu sulmin.

Sipas autoriteteve, sulmet e leopardëve janë të shpeshta në këtë rajon. Deri më tani, katër leopardë janë kapur, ndërsa në fillim të dhjetorit një grua e moshuar u vra në një sulm të ngjashëm në një fshat tjetër të zonës. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet dhe po shqyrtojnë masa shtesë për të parandaluar incidente të tjera dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb