Xhiroja e 17-të e AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll solli ndeshje interesante dhe rezultate të rëndësishme në garën për kreun e tabelës. Ballkani vazhdoi formën e shkëlqyer duke u shkëputur në krye të renditjes. Portokallezinjtë e thelluan krizën e Prishtinës, duke e mposhtur me shifrat 3:1, të dielën në stadiumin e qytetit në Suharekë. Skuadra e drejtuar nga Mislav Karoglan tani prin e vetme me 32 pikë, katër më shumë se Dukagjini dhe pesë më shumë se Prishtina, që ka një ndeshje më pak të luajtur.

Derbi i xhiros u vendos që në pjesën e parë. Prishtina kaloi e para në epërsi me golin e Gentrit Salihut në minutën e 13-të, por reagimi i Ballkanit ishte i shpejtë. Bleart Tolaj barazoi në minutën e 22-të, ndërsa Salihu shënoi autogol për 2:1 në minutën e 31-të. Në fund të pjesës së parë, Valentin Serebe realizoi nga penalltia për rezultatin përfundimtar 3:1. Para fillimit të ndeshjes u mbajt një minutë heshtje në nder të Dren Feratajt, anëtar i stafit të FC Prishtinës, i ndarë nga jeta ditë më parë.

Kjo ishte fitorja e katërt rresht për Ballkanin në të gjitha garat, ndërsa Prishtina mbetet pa fitore në Superligë që nga 25 tetori.

Derbi i madh i futbollit kosovar ndërmjet Dritës dhe Gjilanit përfundoi baras 1:1. Ndeshja, e zhvilluar në kushte të vështira atmosferike në fushën me bari sintetik, solli raste të shumta dhe dy gola në pjesën e dytë.

Drita kaloi në epërsi në minutën e 75-të me golin e Arb Manajt, pas asistimit të Besnik Krasniqit. Reagimi i Gjilanit ishte i menjëhershëm, me Armend Thaqin që shënoi një supergol nga goditja e dënimit në minutën e 79-të për rezultatin përfundimtar.

Drita mban vendin e pestë me 25 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa Gjilani renditet i gjashti me 23 pikë.

Pa fitues përfundoi edhe ndeshja në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Malishevës, por këtu munguan edhe golat. Malisheva mbeti me dhjetë lojtarë nga minuta e 63-të, por epërsia numerike nuk u konkretizua nga ana e llapjanëve.

Për Llapin ky ishte barazimi i gjashtë sezonal, duke e mbajtur skuadrën në vendin e shtatë me 21 pikë. Malisheva, që kishte një seri prej tri fitoreve rresht, regjistroi barazimin e dytë dhe mban vendin e katërt me 26 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb