Historitë nga sulmi terrorist në plazhin Bondi, që la të paktën 15 persona të vdekur, vijojnë të tronditin opinionin publik. Në qendër të vëmendjes gjatë orëve të fundit është historia e një çifti që u përpoq të ndalonte sulmuesen dhe humbi jetën në mënyrë tragjike. Sipas pamjeve video që qarkullojnë, 69-vjeçari Boris Gurman, hebre me origjinë ruse, tentoi të çarmatoste 50-vjeçaren Shaheen Akram, e cila kishte zbritur nga makina me një flamur të ISIS të vendosur në xhamin e përparmë. Gurman arriti ta shtyjë dhe t’i marrë armën, por përpjekja e tij dështoi. Akram hapi zjarr, duke vrarë Borisin dhe bashkëshorten e tij 61-vjeçare, Sofia. Çifti u gjet i pajetë, të përqafuar, në trotuar.

Fillimisht, Boris dhe Sofia Gurman ishin raportuar të zhdukur pas sulmit të së dielës, ndërsa policia australiane kishte bërë thirrje për informacion mbi fatin e tyre. Mediat lokale raportojnë se çifti jetonte prej vitesh në zonën e Bondit dhe kishin një djalë rreth të 30-ave. Sipas burimeve familjare, ata po përgatiteshin të festonin 35-vjetorin e martesës në muajin janar.

Në një deklaratë, familja Gurman i përshkroi Boris dhe Sofinë si njerëz të përkushtuar ndaj komunitetit dhe familjes së tyre. “Ata kishin ndërtuar një jetë që e donin në Bondi. Ishin njerëz të sjellshëm, të fortë dhe bujarë. Mungesa e tyre lë një boshllëk që nuk mund të mbushet”, thuhet në reagim.

Të afërmit theksuan gjithashtu se akti i tyre i vetëmohimit pasqyronte plotësisht karakterin e tyre. “Ata ishin njerëz që instinktivisht zgjidhnin të ndihmonin, edhe kur përballeshin me rrezikun më të madh. Edhe pse asgjë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes, jemi jashtëzakonisht krenarë për guximin dhe humanitetin e tyre.”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: