Rusia tha të hënën se kishte marrë “kontrollin” e Kupyanskut, një qytet kyç në verilindje të Ukrainës, ku forcat ukrainase thanë së fundmi se kishin rimarrë disa rrethe nga ushtria ruse. “Qyteti i Kupyanskut është nën kontrollin e Korpusit të 6-të të ushtrisë ruse”, tha Leonid Sarov, një zëdhënës i njësisë ushtarake ruse Zapad, e cila është e vendosur në zonë. Njoftimi erdhi ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha dje, se ishte i kënaqur me “përparimin” në negociatat me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, me evropianët që nga ana e tyre kishin promovuar një propozim për një forcë shumëkombëshe për të garantuar paqen në Ukrainë.

Rusia tha se kishte pushtuar Kupyanskun në nëntor, ndërsa Ukraina më vonë tha se kishte rimarrë disa distrikte. “Grupe të vogla” ushtarësh ukrainas po përpiqeshin “çdo ditë” të infiltronin në Kupyansk, tha Sarov, duke këmbëngulur se “të gjitha distriktet janë nën kontrollin e forcave ruse”.

Zelensky tha të premten se kishte vizituar trupat në rajonin e Kupyansk, në një video të publikuar pasi Kievi njoftoi rimarrjen e dy komuniteteve aty pranë dhe disa lagjeve të qytetit. Vizita e tij erdhi menjëherë pasi forcat ukrainase njoftuan “zhvillime të rëndësishme” në rajonin e Kupyansk, një qendër kryesore hekurudhore në rajonin e Kharkiv. Ushtria ruse nisi ofensivën e saj në shkallë të gjerë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht pushton 20% të territorit të vendit fqinj, në lindje dhe jug, duke përfshirë disa zona të rajonit të Kharkiv.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: