Edhe pse ka kaluar rreth një muaj nga pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe nga vendosja e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe atë të KESH-it, Erald Elezi, këto dy institucione kyçe të sektorit energjetik dhe infrastrukturor vazhdojnë të jenë praktikisht pa drejtim.

Burime bëjnë me dije se bordet drejtuese të KESH-it dhe ARRSH-së nuk janë mbledhur për të zgjedhur drejtues të rinj, duke e lënë menaxhimin e institucioneve në një situatë pasigurie dhe pa vendimmarrje të qartë. Në një moment kur kërkohet funksionim normal dhe përgjegjësi institucionale, mungesa e drejtimit rrezikon paralizimin e punës dhe shtyrjen e vendimeve të rëndësishme.

Situata ka ngritur pikëpyetje të forta mbi arsyet e kësaj zvarritjeje, ndërsa burimet sugjerojnë se mosmbledhja e bordeve nuk është aspak rastësore. Dyshimet janë përqendruar te ideja se Balluku po i mban këto institucione “peng”, për të ruajtur kontrollin real mbi to dhe për të ndikuar në vendimmarrje nga prapaskena. Sipas këtyre burimeve, kjo heshtje institucionale është një strategji e qëllimshme bllokimi, që synon ruajtjen e influencës politike mbi KESH-in dhe ARRSH-në, sektorë strategjikë të lidhur drejtpërdrejt me tenderë, projekte madhore dhe flukse financiare milionëshe.

Kritikët flasin për një ushtrim të pushtetit “në distancë”, ku mungesa e emërimeve të reja shërben si mekanizëm për të ruajtur status quo-në dhe për të penguar çdo ndryshim që do t’i çlironte institucionet nga kontrolli personal.

Në vend që procesi i pezullimit dhe më pas rikthimi në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese të shërbente për të sqaruar përgjegjësitë dhe për të rikthyer funksionimin normal të institucioneve, realiteti tregon një kapje të vazhdueshme politike të tyre, duke i mbajtur KESH-in dhe ARRSH-në në një gjendje paralize funksionale, pa drejtim të qartë dhe pa vendimmarrje transparente, çka minon transparencën dhe vetë legjitimitetin e qeverisjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: