Liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të mblidhensot në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Bruksel.
Samiti do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Sipas BE-së, samiti do të shërbejë si një mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënieve strategjike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe përfitimet që ato u sjellin qytetarëve.
Në përfundim të samitit do të miratohet Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me të cilën pritet që partnerët e Ballkanit Perëndimor të harmonizohen, thuhet nga BE-ja.
Në samit do të theksohet rëndësia e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje edhe më të forta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Pritet që BE-ja të riafirmojë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe progresin e arritur në procesin e zgjerimit, të pasqyruar në raportin më të fundit të Komisionit Evropian.
Gjithashtu, do të nënvizohet rëndësia e përparimit konkret në reforma, harmonizimit me legjislacionin e BE-së (acquis), bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit.
Në samit do të diskutohen edhe hapat për integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në BE gjatë procesit të zgjerimit.
Pritet që BE-ja të mirëpresë përparimin konkret në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti i ardhshëm do të zhvillohet në qershor 2026 në Mal të Zi.
