Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona, të akuzuar për mashtrim dhe falsifikim, lidhur me një skemë të rreme të dhënies së automjeteve me qira.

Sipas Prokurorisë, shtetasit A.K. dhe O.K. akuzohen për veprën penale “Mashtrimi”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, ndërsa shtetasja M.P. dhe shtetasi A.K. përballen me akuzat për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, gjithashtu të kryera më shumë se një herë.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 71 të vitit 2024, rezultoi se A.K. dhe O.K. kishin hapur në mënyrë fiktive faqen e internetit “Autorental Tirana”, ku reklamoheshin automjete të ndryshme për dhënie me qira. Për kontakt me klientët, ata përdornin një numër telefoni të regjistruar në emër të një personi të tretë. Pasi përfitonin pagesat nga personat që rezervonin automjetet, mjetet nuk dërgoheshin kurrë në destinacionin e kërkuar.

Prokuroria sqaron se M.P., punonjëse pranë subjektit “F.K” PF, ka dhënë ndihmën e saj duke regjistruar numrin celular në emër të një personi tjetër, pa dijeninë e këtij të fundit.

Ndërkohë, i pandehuri A.K., administrator i subjektit “ERGI-2012”, me aktivitet edhe në fushën e transfertave të parave, dyshohet se ka nënshkruar formularë tërheqjeje shumash, duke u paraqitur si përfitues i pagesave të dërguara nga persona të ndryshëm për marrjen e automjeteve me qira.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb