Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në mbështetjen e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në Evropë.

Në një intervistë për Bloomberg të mërkurën, Osmani theksoi se prania e trupave amerikane në Kosovë përbën “pengesën dhe parandalimin më të madh ndaj çdo përshkallëzimi të situatës në rajon”. Ushtarët amerikanë janë pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, i cili është i pranishëm në Kosovë që nga përfundimi i luftës me Serbinë në vitin 1999.

Ajo shtoi se zhvillimi ekonomik i vendit është ngadalësuar për shkak të një bllokimi politik disa mujor, i cili, sipas saj, pritet të marrë zgjidhje përmes zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Këto janë zgjedhjet e dyta të parakohshme këtë vit, pasi fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, nuk arriti të formojë një koalicion shumicë. Sipas Bloomberg, stili i tij i udhëheqjes është refuzuar nga partitë e tjera dhe ka shkaktuar pakënaqësi edhe te aleatët evropianë dhe amerikanë.

Osmani shprehu bindjen se politikanët në Kosovë tani do të tregojnë një “qasje më konstruktive” për bashkëpunim. “Jam shumë, shumë optimiste, sepse kemi nevojë për institucione funksionale që të mund të ecim përpara me projekte të mëdha me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb