Vijon mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku një prej anëtareve të këtij forumi, Ilirjana Kuçana, ka kërkuar pastrimin e PD.
Burime brenda mbledhjes mësohet se Kuçana ka deklaruar se nuk e tërheq firmën për nismën e propozuar nga një grup prej 17 anëtarësh të Këshillit Kombëtar, me qëllim diskutimin e tij në mbledhjen më të afërt të këtij forumi.
“Duhet të jemi seriozë. Nëse duam të rrëzojmë Ramën, ta rrethojmë Kryeministrinë, çdo deputet të sjellë 100 veta. A e keni ndarë mendjen të rrëzojmë Ramën? Unë kam firmosur pastrimin e partisë dhe nuk e tërheq firmën, as nuk kërkoj ndjesë”, mësohet se është shprehur Kuçana.
Nisma e propozuar nga Lisandër Hoxha, u depozitua një ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
Propozimet konsistojnë në një qasje të re sa i takon marrëdhënies politike me ideologjinë.
Nismëtarët e këtij propozimi, kërkojnë që personat që janë të arsimuar me bursa të Fondacionit Ekstremist të Majtë Open Society Fondation, persona që kanë qenë ekspertë të këtij fondacioni, që kanë përfituar fonde nga kjo organizatë apo që janë të lidhur në mënyrë të tërthortë apo direkte më PPP-të dhe tenderat e qeverisë më të korruptuar të Europës, janë në papajtueshmëri me mandatin si zyrtarë të lartë të PD.
