Ndrec Pjetri, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka folur për situatën brenda PD-së pas takimeve të zhvilluara javët e fundit nga Ervin Salianji dhe figura të tjera të reja të partisë, të cilat janë kritikuar nga lidershipi dhe kupola drejtuese.

Pjetri theksoi se rezultatet zgjedhore kanë treguar qartë nevojën për rigjenerim të Partisë Demokratike. Sipas tij, në zgjedhjet e fundit, kandidatë të rinj dhe të paprovuar më parë arritën të marrin një numër të lartë votash, duke thyer rekorde. “Kjo tregon se PD ka nevojë për fytyra të reja dhe rigjenerim. Ajo që pamë në fushatë, sot po ngremë zërin për ta bërë realitet,” u shpreh ai.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit rreth Ervin Salianjit, Pjetri i cilësoi si dezinformim pretendimet se takimi me demokratët në Elbasan është organizuar nga Suel Çela. Ai theksoi se këto narrativa dëmtojnë debatin e brendshëm dhe largojnë vëmendjen nga problemet reale të partisë.

Ish-kandidati për deputet ndau edhe përvojën e tij personale në PD, ku është aktiv prej gati 20 vitesh. Ai tregoi se në zgjedhjet e 11 majit garoi si kandidat, por nuk iu dha mundësia të përfshihej në listat e hapura të PD-së, duke u detyruar të kandidojë në listën e Partisë Agrare Ambientaliste. Megjithatë, ai e vlerësoi fushatën si pozitive dhe për t’u përshëndetur.

“Jo gjithmonë e vjetra është në luftë me të renë, ato duhet të ecin bashkë,” u shpreh Pjetri, duke theksuar se zëri i ngritur nga figura të reja nuk synon pastrime apo përjashtime, por reflektim dhe vendimmarrje të drejtë nga strukturat.

Në përfundim, ai theksoi se baza e Partisë Demokratike duhet të pyetet realisht dhe të ketë një rol aktiv në vendimet e rëndësishme, si kusht për ringritjen dhe forcimin e partisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb