Këngëtarja Sheila, e cila garon në Festivalin e Këngës 64 me këngën “Zemra e Tokës”, rrëfeu në prapaskenë emocionet e forta pas performancës së saj në skenë. Artistja u shpreh se ende po përjeton drithërima nga emocionet, duke theksuar mbështetjen e madhe që ka ndjerë gjatë gjithë rrugëtimit.
“Jam ende duke u dridhur nga emocionet. Kisha shumë mbështetje dhe përkrahje dhe shpresoj që kjo të jetë përcjellë te publiku,” tha Sheila. Ajo ndaloi edhe te detajet simbolike të performancës, duke shpjeguar se shqiponja përfaqësonte shenjën e tokës dhe njëkohësisht simbolin e flamurit shqiptar.
Emocionet u shtuan kur Sheila përmendi vëllanë e saj, të cilin e quajti “engjëlli im mbrojtës”. “Vëllai im është engjëlli im mbrojtës. Ai më shoqëron në çdo hap të rrugëtimit tim,” u shpreh ajo e përlotur. Artistja e cilësoi performancën si shumë impenjative, por theksoi se në skenë u ndje shumë mirë, veçanërisht nga reagimi i publikut që e duartrokiti gjatë.
