Partia Mundësia mbajti një protestë këtë të premte jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që brenda saj mbahej mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçmes, SPAK, për heqjen e imunitetit të zv. kryeministres Belinda Balluku.

I pranishëm në protestën e thirrur nga partia Mundësia ishte edhe kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj.

Për Florjan Binajn, protestat janë “detyrë bazë e çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, të vidhet dhe të nënçmohet”.

Qindra qytetarë si dhe anëtarë të shoqërisë civile të cilët morën pjesë në tubim kërkuan nga Kuvendi të pranojë kërkesën e SPAK-ut që i hap më pas rrugën arrestimit të zv.kryeministres Balluku e cila është marrë e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe po hetohet për disa procedura të tjera tenderuese.

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj në fjalën e tij përpara protestuesve paralajmëroi se kjo e sotmja nuk është protesta e parë dhe as e fundit. Shehaj u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të dalin në krah të drejtësisë e cila po sulmohet nga pushtetarët e korruptuar që kanë qëllim të mbrojnë veten e tyre përpara ligjit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb