Avokati i ri i Popullit, z. Endrit Shabani, mori sot zyrtarisht detyrën, një ditë pas betimit të tij përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke nisur ushtrimin e mandatit kushtetues që i është besuar.

Prezantimi zyrtar i Avokatit të ri të Popullit përpara komisionerëve, administratës dhe stafit të institucionit u krye nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, z. Genci Gjonçaj, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe në frymën e vijimësisë institucionale.

Zgjedhja e drejtuesit të ri vjen në një moment të rëndësishëm për institucionin dhe për vendin, ndërsa Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit evropian–një proces ku respektimi dhe garantimi i lirive e të drejtave të njeriut përbën një vlerë qendrore dhe një standard të patjetërsueshëm.

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson kontributin e Znj. Erinda Ballanca, e cila ka drejtuar për 8 vite dhe ndërsa ka vijuar të ushtrojë funksionin edhe përtej afatit kushtetues, ka garantuar stabilitet institucional, vazhdimësi të veprimtarisë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në një periudhë me sfida të shumta.

Duke i uruar Avokatit të ri të Popullit, Z. Shabani suksese në detyrën e re, institucioni shpreh vullnetin për një tranzicion korrekt, bashkëpunim të plotë dhe vijim të pandërprerë të misionit kushtetues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb