Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, deklaroi se kryeministri Edi Rama po pengon drejtësinë, duke iu referuar kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Vokshi u shpreh se SPAK ka kërkuar masa shtrënguese ndaj Ballukut për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe ndikimit te dëshmitarët. Sipas saj, prokuroria ka informuar se gjatë periudhës pasi i është komunikuar akuza zyrtarisht, Balluku ka kërcënuar dëshmitarë, çka përbën rrezik të vazhdueshëm sa kohë ajo mbetet e lirë dhe në detyrë.

“Sot u zhvillua pa asnjë rezultat mbledhja e Këshillit të Mandateve. Deputetëve të opozitës nuk iu është dhënë USB-ja me provat, ndaj për çfarë do të diskutohej kur provat nuk janë vënë në dispozicion?” tha Vokshi.

Ajo akuzoi mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të procesit, duke theksuar se kërkesa e deputetëve socialistë për 3–4 javë kohë për shqyrtimin e provave nuk ka precedent. “Maksimumi ka qenë 72 orë, si në rastin e Arben Ahmetajt. Edhe vetë SPAK ka thënë se afati maksimal duhet të jetë deri në 5 ditë, pasi bëhet fjalë për një çështje shumë sensitive,” u shpreh deputetja demokrate.

Sipas Vokshit, pas çdo afere qëndron kryeministri Rama dhe vonesat në Këshillin e Mandateve janë një tjetër përpjekje për të penguar drejtësinë dhe hetimet e SPAK.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb