Pas pesë orësh mbledhje me dyer të mbyllura Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë nuk arriti të merrte vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja u mbyll pa konsensus, ndërsa mazhoranca kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura nga Prokuroria.

Balluku mungon në takim

Në të njëjtën kohë kur drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, së bashku me dy prokurorët e çështjes, ndodheshin në Kryesinë e Kuvendit për të paraqitur kërkesën për autorizimin e masës së arrestit, zv.kryeministrja Belinda Balluku merrte pjesë në mbledhjen e qeverisë.

Pas pesë orësh mbledhje me dyer të mbyllura Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë nuk arriti të merrte vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja u mbyll pa konsensus, ndërsa mazhoranca kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura nga Prokuroria.

Takimi i Këshillit të Mandateve u zhvillua me dyer të mbyllura, me argumentin se materialet e hetimit përbëjnë sekret hetimor. Dhjetë deputetët anëtarë të Këshillit kanë marrë në dorëzim dokumentacionin e SPAK-ut, që përfshin me mijëra faqe prova, që sipas Prokurorisë duhet të shqyrtohen vetëm nga anëtarët e këtij organi, pa praninë e deputetëve të tjerë apo të medias.

Përplasje politike për afatin

Debatet në Këshillin e Mandateve u përqendruan kryesisht te koha e nevojshme për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut. Mazhoranca socialiste thotë se rregullorja i jep Kuvendit deri në dy javë për këtë procedurë, kohë që sipas saj përfshin edhe pushimet parlamentare, duke e shtyrë vendimmarrjen për në janar.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar tëPartisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi për mediat se opozita do të kërkojë thirrjen e një mbledhjeje të re në fillim të javës së ardhshme, duke e cilësuar çështjen si urgjente.

“SPAK tha se tri ditë janë të mjaftueshme, maksimumi pesë ditë. Pesë anëtarët e opozitës në këshill do ta thërrasin mbledhjen të hënën, maksimumi të martën. Ndërsa PS kërkon që mbledhja të zhvillohet më 20 janar” – tha Bardhi. Sipas tij, zvarritja e procesit po e kthen Kuvendin në pengesë për drejtësinë dhe i jep zëvendëskryeministres kohë për të ndikuar mbi provat e hetimit.

Akuzat ndaj Ballukut

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” e depozituar më 31 tetor 2025. Në kuadër të hetimit SPAK-u vendosi masën e pezullimit të saj nga funksionet zyrtare, si edhe ndalimin e largimit jashtë vendit, masa që u rrëzuan më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Balluku i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe politike, dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e plotë të çështjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb