Frikë, ndjenjë përjashtimi, tallje dhe kërcënime me fjalë vulgare…

Këto janë bërë pjesë e përditshmërisë së një grupi punëtorësh nga Nepali, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Kragujevc.

Rreth dhjetë prej tyre jetojnë në një shtëpi shumëkatëshe në njërën nga lagjet e këtij qyteti në Serbinë qendrore.

Ata mbërritën atje në mesin e nëntorit për të punuar, si shumë të tjerë nga vendet aziatike dhe afrikane, dhe kryesisht angazhohen në ndërmarrje komunale, fabrika dhe kantiere ndërtimi të kompanive private.

Por, shumë shpejt, u përballën me protesta të një pjese të banorëve lokalë para shtëpisë ku banojnë, me thirrje fyese si: “Kthehuni në Nepal”.

“Nuk ndihemi të sigurt, por besojmë se gjithçka do të shkojë mirë”, thotë Binay Kumar Jha për Radion Evropa e Lirë, teksa qëndron pranë bashkëkombësve të tij.

Ata pranuan të tregojnë anën e tyre të historisë për Radion Evropa e Lirë, megjithëse në fillim ishin të rezervuar.

Kumar Jha shpjegon se frikësohen për sigurinë e tyre dhe se gjatë protestave përpara shtëpisë nuk guxonin të dilnin jashtë.

Në bisedë, me një buzëqeshje, i bashkohet edhe Saroj Khadka, duke thënë se nuk duan t’i dëmtojnë njerëzit dhe nuk duan t’i lëndojnë ata.

Ai thotë se janë shumë të frikësuar, pasi në protestën përpara shtëpisë së tyre në fillim të dhjetorit, kishte shumë njerëz, që herë pas here shikonin nga dritarja.

“Ne vetëm duam të jemi të sigurt dhe të mund të punojmë. Kaq. Nuk presim asgjë nga të tjerët, vetëm të jemi të sigurt. Askush në botë nuk duhet të ndihet kështu. Të gjithë duhet të jemi të barabartë”, thotë Khadka.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb