Siç ishte lajmëruar, aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” zhvilluan protestë e paralajmëruar para Kryeministrisë, përmes të cilës kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Pak minuta pas nisjes së protestës, aktivistët janë përleshur me policinë. Shkak është bërë tentativa e uniformave blu për të larguar një gjenerator aty pranë, i vendosur nga simpatizantët e Lapajt.
Me thirrjet “Edi Rama o hajdut”, protestuesit kanë denoncuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi, aferat korruptive të qeverisë, skandalet e Ballukut dhe AKSHI-t, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe kabinetit të tij.
Prej disa ditësh, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe aktivistë të kësaj lëvizje janë zhvendosur para selisë së qeverisë duke theksuar se nuk do të lëvizin nga sheshi deri në largimin e Ramës.
