Dreka e para Krishtlindjeve te Ferrari nuk ishte aspak festive për aspektin sportiv, me përjashtim të ekipit të qëndrueshmërisë, e vetmja pikë ku “kokëkuqja” shkëlqeu. Megjithatë, ajo u karakterizua nga shpresa për të ardhmen.
Viti 2025 tashmë është një kujtim i keq në Maranelo dhe viti 2026 shfaqet në horizont si një rreze shprese, nga e cila Ferrari synon të nisë gjithçka nga e para. Kjo ishte tema kryesore e takimit të drejtuesve të skuderisë me median, ku vëmendja ishte e përqendruar te e ardhmja.
Pikërisht për këtë arsye u zbulua edhe data e nisjes së projektit të ardhshëm SF-26 dhe u hodhën bazat për të kuptuar sfidat kryesore të vitit 2026. Por njëkohësisht pati edhe analiza më të qeta për një sezon 2025 që pritej të ishte spektakolar… dhe përfundoi si një nga më të dobëtit për Ferrarin në vitet e fundit. Pritshmëritë ishin të mëdha, sidomos për faktin se shtatë herë kampioni i botës, Luis Hamilton, u largua nga Mercedesi për t’iu bashkuar Ferrarit. Imazhi tashmë ikonik i britanikut përpara shtëpisë së Enzo Ferrarit, pranë një makine “F40”, krijoi një atmosferë legjendare që paralajmëronte diçka të madhe… por realiteti ishte krejt ndryshe.
FRED VASËR
Sipas shefit francez të Ferrarit, Frederik Vasër, ky transferim kishte pasoja shumë më të thella sesa ishte parashikuar: “E nënvlerësuam ndikimin e një ndryshimi kaq të madh për të. Nuk bëhet fjalë vetëm për kulturën apo ushqimin, por për çdo procedurë”, pranoi Vasër për “La Gazzetta dello Sport”, ndërsa më tej vijoi: “Duhet të përmirësojmë bashkëpunimin, ka të bëjë edhe me të kuptuarit më mirë të njëri-tjetrit dhe me të diturit se çfarë i nevojitet”, shtoi ai, duke marrë mbi vete një pjesë të përgjegjësisë për sezonin e parë zhgënjyes të Hamiltonit te Ferrari. Një vit që pati si nota pozitive vetëm fitoren në sprintin e Kinës dhe podiumin e dytë në Majami, gjithashtu në garën e shkurtër. Sa i përket pilotit tjetër, Sharl Lëklerk, Vasër minimizoi deklaratat e forta të monegaskut, i cili e përshkroi 2026-ën si “tani ose kurrë” për të te Ferrari, fjalë që u interpretuan si ultimatum: “Nuk duhet t’u kushtohet shumë rëndësi asaj që thonë pilotët menjëherë pasi zbresin nga makina pas një Çmimi të Madh”, u shpreh drejtuesi francez i “kokëkuqes”.
VENDIME TË VËSHTIRA
Sezoni 2025 ishte jashtëzakonisht i vështirë për Ferrarin, i cili u detyrua të merrte vendime të komplikuara gjatë vitit, duke pasur para sysh të ardhmen që nis nga janari. Vendime me peshë të madhe, që pa dyshim ndikuan edhe te pilotët, veçanërisht në gjysmën e dytë të sezonit. Ferrari ndaloi shumë herët zhvillimin e makinës “SF-25” për të përqendruar burimet te makina e vitit 2026, gjë që thelloi problemet dhe rriti tensionin në boksin e kuq. Megjithatë, Vasër nuk pendohet: “Jam i bindur se ishte zgjedhja e duhur, por e nënvlerësova ndikimin psikologjik që ky vendim kishte te çdo anëtar i ekipit, përfshirë pilotët”. Shefi i Ferrarit zbuloi gjithashtu se arsyet e skualifikimit në Kinë ndikuan në performancën e ekipit për rreth një të tretën e kampionatit, por theksoi edhe pikat e forta skuderisë: “Ne e dimë gjithashtu se ku ishin aspektet pozitive, si ndalesat e mira në bokse, strategjitë dhe besueshmëria”, renditi Vasër.
OPTIMIST PËR 2026-ËN
Natyrisht, viti 2026 ishte tema kryesore e diskutimeve me gazetarët. Një vit shprese për të gjithë, por edhe me shumë pikëpyetje. Aq sa Vasër parashikoi se “kush fiton të parën në Melbourn, nuk do të jetë domosdoshmërisht fituesi në fund të vitit 2026”. Ai theksoi gjithashtu një faktor që nuk po merr vëmendjen e duhur, i mbuluar nga risitë teknike: “Një çështje kyçe sezonin e ardhshëm do të jetë menaxhimi i kufirit buxhetor, sepse nëse një ekip fillon të sjellë katër apo pesë përditësime në garat e para, ose nëse duhet të dërgojë, për shembull, një shasi të re në gara të largëta si Japonia apo Kina, do të shpenzojë gjysmën e buxhetit të zhvillimit që në fillim të sezonit”, përfundoi Frederik Vasër. Ferrari do të prezantojë makinën e rë më datë 23 janar në Fiorano
