Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për çështjen e AKSHI-t në SPAK, duke e cilësuar këtë dosje si një nga më të rëndësishmet dhe më domethënëset në punën e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Hoxhës, dosja e AKSHI-t është historike sepse, për herë të parë, ka bashkuar në mënyrë të qartë korrupsionin shtetëror me krimin e organizuar. Ai theksoi se kjo çështje është edhe më e madhe se ajo që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku, megjithëse, sipas tij, do të vijë një moment kur të dyja dosjet do të ndërlidhen.

Gazetari ngriti shqetësimin se veprimtaria e AKSHI-t ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, duke kujtuar se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Ai u shpreh se përtej korrupsionit, problemi më i rëndë ka qenë krijimi i një monopoli në fushën e shërbimeve digjitale.

Hoxha sqaroi se deri në vitin 2019, një institucion që merret me infrastrukturën digjitale nuk mund të funksiononte pa bashkëpunim me kompani të mëdha ndërkombëtare, si Microsoft. Sipas tij, situata ndryshoi kur ky bashkëpunim u ndërpre dhe cikli u mbyll brenda vendit, çka, sipas pretendimeve të tij, çoi në ekspozimin e të dhënave personale të qytetarëve me qëllim maksimizimin e fitimeve.

Në këtë kontekst, Hoxha deklaroi se krimi i organizuar ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë skemë, duke qenë i përfshirë drejtpërdrejt në aktivitetet e lidhura me AKSHI-n.

Hetimet për këtë çështje vijojnë nga SPAK, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme zyrtare mbi përmasat dhe përgjegjësitë konkrete që pritet të dalin nga kjo dosje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb