Universiteti i Harvardit ofron si lëndë me zgjedhje rreth 100 gjuhë te huaja. Prej dy vitesh, gjuha shqipe është njëra prej tyre, si është pjesë e kurrikulës. Në episodin e radhës në #PublicSquare “Të mësosh shqip në Harvard”, Ditmir Bushati bisedon me Faton Limani, administrator në Universitetin e Harvardit dhe nismëtar i kësaj ideje fantastike.
Limani theksoi se gjuha shqipe u miratua si lëndë me zgjedhje pas një angazhimi të studentëve shqiptarë. “Universiteti është shumë më i përgjegjshëm ndaj kërkesës së studentëve sesa ndaj iniciativave individuale”. Sipas tij, që nga viti 2023, kërkesa për gjuhën shqipe është rritur ndjeshëm, duke treguar se shqipja nuk është më vetëm gjuhë identitare, por edhe objekt akademik me interes ndërkombëtar.
Gjatë bisedës u trajtua edhe raporti i kësaj nisme me institucionet shtetërore shqiptare. Limani theksoi se mbështetja ka qenë kryesisht deklarative dhe jo substanciale, veçanërisht në aspektin e kurrikulave dhe bashkëpunimit akademik. “Nëse shtetet e vogla nuk investojnë seriozisht në gjuhë dhe dije, rrezikojnë të zhduken nga harta akademike globale,” u shpreh ai, duke shtuar se aspirata e tij është krijimi në të ardhmen i një programi apo instituti për studime shqiptare në Harvard, si një strukturë e qëndrueshme kërkimi dhe prodhimi shkencor.
Biseda u ndal tek një tjetër sfidë me të cilën përballin shqiptarët sot, si “brain drain”, rënia demografike dhe mosangazhimi strategjik i diasporës. Limani theksoi se dija është kapitali më i nënvlerësuar nga qeveritë shqiptare: “Kapitalin financiar mund ta transferosh lehtë, por dija është pasuria më e vështirë dhe më e rëndësishme për shtetndërtimin.” Bashkëbiseduesit mbështetën idenë se pa politika të mençura për përfshirjen e diasporës dhe pa investim afatgjatë në dije dhe kulturë, zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë dhe Kosovës mbetet i pasigurt.
