Kjo shprehje i takon lituanes me origjinë hebreje Emma Goldman, e cila ndikoi shumë në lëvizjen politike të fund shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Si pjesë e konceptimeve anarkiste, shprehja e saj: “Nëse votimi do të ndryshonte diçka, do ta bënin të paligjshëm”, i jepte karburant kritikave dhe opinioneve të saj, lidhur me referimet që kishte nga vendi i saj i madh BRSS.
U duk se kjo sentencë u harrua, pasi në fillim të viteve ’90 dhe dy dekada më pas ka pasur një lloj idealizmi për votën në Evropën socialiste të Lindjes dhe madje kjo shprehje u arkivua, pasi i shkonte më shumë anarkizmit. Erdhi befas koha kur besohej në konceptin amerikan të Linkolnit që Vota është më e fortë se plumbi, derisa tashmë rastet politike sidomos ato evropiane, po tregojnë se votimi është i mbyllur dhe madje me rezultate të njohura qysh pa nisur. Liderët nuk ndërrohen më në Lindjen ish-socialiste.
Kjo është dilema shqiptare tashmë kur maxhorancën e Edi Ramës e kanë makthuar rastet e zbulimit të korrupsionit dhe emrat e saj parakalojnë rregullisht në sfilatat e drejtësisë. Duke nisur nga rastet e zv\kryeministrave Balluku, Ahmetaj dhe duke vazhduar me ministrat, shefat e agjencive kryesore, apo dhe me njerëz të ndryshëm të strukturës së tyre, të gjitha e kanë bërë qeverisjen socialiste të kapë nivelin më të ulët të moralit politik dhe pikën e fundit gati drejt shpërbërjes me votuesin shqiptar.
ë këtë sens ka nisur një ngut tek opozita për ndryshimin, por edhe të reagimit me ndjesinë se e kanë fare afër pushtetin! Por në atë që po shohim në orët e fundit ka një rendje të zërave të ndryshëm, sikur pushteti është tek dera dhe ata po nxitojnë duke e penguar njëri-tjetrin, në vend që të bashkëpunojnë dhe të vendosin kanone të drejta për të ardhmen.
E vështirë për të bërë një ndryshim dhe rasti bullgar po na përcjell një paradoks që mund të na shërbejë si shembull, jo pse vendi është në një krizë të vazhdueshme dhe me zgjedhje të vazhdueshme, por sepse i ngjan Shqipërisë. I vetmi ndryshim me rastin tonë është se: Ndërsa partia GERB e Bojko Borisov është pjesë e Partisë Popullore Evropiane, Partia Socialiste tek ne është pjesë e Internacionales. Nga ana tjetër, ngjashmëritë sesi operojnë janë gati të frikshme: Pushtet i fortë ku kontrolli i administratës është i dukshëm, rrjeti i nepotizmit dhe ndikimi është në çdo qelizë të jetës së vendit. Përgjimet na tregojnë sesi merren tenderat dhe si veprohet me klientelizmin.
Korrupsioni që shoqëron tashmë në çdo hap jetën e vendit po bëhet mbytës. Por bash përballë socialistëve të telendisur shqiptar dhe GERB-it të shkalafitur bullgar qëndrojnë alternativa pa asnjë forcë sepse janë të fragmentuara dhe mbi të gjitha të paorganizuara. PD-ja i dëgjon të gjitha ato që thonë aleatët e vegjël (të zvogëluar dhe prej flirteve të saj me socialistët), por në fund, paktet për reformat kryesore të vendit dhe sidomos atë zgjedhore i bën me socialistët.
Dhe, përfundimi është ai që e sheh por nuk e dëshiron çdo shqiptar: Socialistët janë të vetmit që mund të bëjnë shtet!! Dhe, çfarë po i mungon këtij realiteti? Disa analiza na e tregojnë hapur mungesën e “qytetarit të vërtetë demokratik” të rrënjosur thellë midis popullsisë më të gjerë në disa pjesë të rajonit, ku një frymë e fortë kolektiviste dhe tradita hierarkike lehtësojnë marrëdhëniet klienteliste dhe ndikimin oligarkik, cilësohet në studime.
Apeli është që të zgjohet pikërisht Ai që di të votojë, jo thjesht e vetëm për veten e tij, por edhe për vendin, paçka se rasti shqiptar na ka treguar shpesh se vota jonë shpërdorohet. Më keq akoma, kemi humbur sensin se mbase vota jonë trand pushtete. Emma Goldman kishte të drejtë.
