Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Afër mesnatës së 20 dhjetorit u shua në moshën 91 vjeçare Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti i rrallë, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.

Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë, vështirë të mos jetë drithëruar, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.

Zëri i tij kumbues dhe timbri i veçantë tashmë do të dëgjohen vetëm në fonotekën e Radio Tiranës dhe në arkivat sportive të RTSH, por jehona e tij do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e miliona shqiptarëve.

Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb