Finalizohet operacioni policor i koduar “Relay”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në pranga kanë rënë 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 12 emigrantë, kundrejt fitimit, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Ndërsa në kërkim janë shpallur 2 bashkëpunëtorët e tyre. Policia ka sekuestruar 2 automjete dhe 2 aparate celulare.
News24 mëson se Antitrafiqet e Tiranës prej kohësh kishin në vëzhgim babë e bir Besnik Matellari dhe Mariglen Matellari, të përfshirë në trafikimin e emigrantëve.
Pas arrestimit të tyre, ata nuk kanë pranuar që të flasin përpara hetuesve, por e gjithë skema është rrëfyer nga emigrantët që vinin nga Egjipti. Sipas tyre ata kanë paguar shumë nga 7 deri në 10 mijë euro për person për tranportin nga Egjipti deri në Itali.
Sipas burimeve, emigrantët fillimisht kalonin ilegalisht nga shteti i tyre drejt Greqisë. Më pas të tjerë trafikantë i ndihmonin që të kalonin drejt Shqipëria.
Pasi kalonin në vendin tonë, Besnik dhe Mariglen Matellari i merrnin nga Tirana, apo nga qytetet jugut dhe fillimisht i dërgonin në Kukës, ku më pas bëhej e mundur kalimi i emigrantëve egjiptian drejt Kosovë.
Destinacioni final i emigrantëve ishte në Itali. Besnik Matellari rezulton i përfshirë dhe në të kaluan në trafikimin e emigrantëve të jashtëligjshëm.
