Presidenca franceze mirëpriti gatishmërinë e Moskës për të zhvilluar bisedime me presidentin Emmanuel Macron, duke sinjalizuar se detajet e mëtejshme do të përcaktohen në ditët në vijim.
Pallati Elize njoftoi se gatishmëria e presidentit rus Vladimir Putin për të biseduar me Macronin është “e mirëpritur” dhe se Parisi do të vendosë për detajet “në ditët në vijim”, sipas transmetuesit francez BFMTV.
Reagimi erdhi pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha të shtunën vonë agjencisë ruse të lajmeve RIA se Putin është i gatshëm të angazhohet në dialog me Macronin.
Macron u tha gazetarëve pas takimit të Këshillit Evropian të premten se do të “bëhej sërish e dobishme” që ai dhe evropianët të flasin me Putinin, në vazhdën e përpjekjeve aktuale të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës mes Moskës dhe Kievit.
“Mendoj se ne, evropianët dhe ukrainasit, kemi interes të gjejmë një kornizë për t’u rikthyer në këto diskutime në mënyrë të duhur. Përndryshe, përfundojmë duke folur mes nesh, ndërsa negociatorë të tjerë shkojnë më vete për të biseduar me rusët, gjë që nuk është optimale” tha Macron.
