Franca ka ndërtuar historikisht një identitet normativ si shtet themelues i doktrinës moderne të të drejtave të njeriut, duke u vetëpozicionuar si garant i parimeve të Deklaratës së vitit 1789, i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i sundimit të ligjit si vlerë universale.

Ky vetëpozicionim, nuk gjen pasqyrim të njëtrajtshëm në praktikën e saj penale bashkëkohore, veçanërisht në fushën e përgjimeve dhe të mbledhjes ndërkufitare të të dhënave.

Por, mesa duket era po fillon të ndryshoj drejtim! Se fundmi, Gjykata e Kasacionit Francë, Dhoma Penale me vendimin i datës 2 dhjetor 2025 (Apeli nr. 25-81.132) na jep një reference të qartë jurisprudenciale për administrimin e provave data(kompiuterike). Gjykata konstaton se përdorimi procedural i të dhënave të gjeolokimit të mbledhura jashtë territorit francez, pa autorizimin e shtetit përkatës, përbën shkelje të rregullave të rendit publik të lidhura me sovranitetin shtetëror. Duke iu referuar nenit 230-32 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata thekson se çdo palë ka të drejtë të kontestojë ligjshmërinë e një mase gjeolokimi në kohë reale që, pavarsisht faktit që procedura e përgjimit është nisur në territorin francez, por në kundështim me parimet themelore të sovranitetit, vazhdon në territorin e një shteti tjetër.

Më tej, Gjykata sqaron se një pavlefshmëri e tillë lidhet ngushtë me garantimin e rendit publik dhe se ajo ekziston pavarësisht nga fakti nëse i pandehuri është mbajtës i pajisjes kompiuterike(celularit emetues i të dhënave) të përgjuar apo nëse pretendon një cenim të drejtpërdrejtë të jetës private, edhe kur nuk është vetë përdorues i pajisjes kompiuterike por ka qënë i shoqëruar me përdoruesin e vërtetë. Pavarsisht kësaj, shkelja e sovranitetit territorial, në vetvete, mjafton për të komprometuar ligjshmërinë e procedurës, dhe pranueshmërinë e provave.

Ky arsyetim është juridikisht koherent dhe në përputhje me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare publike. Por pikërisht ky rigorozitet nxjerr në pah një kontradiktë strukturore kur vihet në raport me praktikën e autoriteteve franceze në çështje si operacioni zbërthimin apo hakerimin e aplikacionit SKY ECC.

Në operacionin e zbërthimit/hakerimit të aplikacionit Sky ECC, autoritetet franceze(ka dyshime të bazuara se ky veprim është bërë nga ekspertët dhe teknologjinë Hollandeze, ndryshe nga sa proklamohet gjerësisht dhe botërisht) kanë mbledhur, përpunuar dhe shpërndarë në shkallë masive të dhëna dhe komunikime që përfshijnë dhjetëra mijëra shtetas jo-francezë, duke i trajtuar këto të dhëna si prova të ligjshme në procedura penale të zhvilluara në shtete të tjera, shpesh pa kërkesa paraprake për ndihmë juridike dhe pa një kontroll gjyqësor efektiv në juridiksionet pritëse. Nga aspekti gjyqësor përcaktimi i kompetencës për të kryer ndërhyrjen kompiuterike është mbështetur kryesisht mbi lokalizimin teknik të infrastrukturës që për hir të së vërtetës ndodhej në Francë, duke relativizuar dimensionin e juridiksionit personal dhe sovranitetit territorial.

Këtu qëndron dhe tensioni normativ në këtë precedent: nëse shkelja e sovranitetit të një shteti tjetër përbën çështje rendi publik absolut kur kjo shkelje ndikon në procedurën penale ndaj një personi në Francë, mbi çfarë baze juridike ky parim humbet peshën e tij kur subjektet e prekur janë shtetas të huaj dhe pasojat penale materializohen jashtë juriksionit dhe territorit francez?

Kjo asimetri nuk shpjegohet thjesht me dallime procedurale. Ajo reflekton një qasje selektive ndaj universalitetit të standardeve, ku moscënimi i sovranitetit dhe e të garancive procedurale shfaqet si absolute në raport me juridiksionin gjyqësor të një shteti mbi shtetasit dhe rezidentet e tij, por fleksibël kur bëhet fjalë për “të tjerët”. Ky mekanizëm nuk është i ri: ai përfaqëson një formë moderne të aplikimit të normave, ku parimet deklarohen universale, por zbatohen në mënyrë të diferencuar.

Vendimi i Gjykatës së Kasacionit i 2 dhjetorit 2025 nuk është problematik në vetvete. Përkundrazi, ai artikulon qartë një standard të lartë të mbrojtjes procedurale të rendit publik francez të parë në dimensionin e raporteve të ndara dhe të qarta me jurdiksionet e huaja dhe sovranitetin e tyre territorial. Problemi lind nga mungesa e universalizimit të këtij standardi. Një rend juridik që pranon se shkelja e sovranitetit është e papajtueshme me ligjshmërinë procedurale nuk mund ta relativizojë këtë parim në varësi të identitetit të subjektit të prekur pa cenuar koherencën e vet normative.

Përsa i përket aplikacionit Sky Ecc, ne si zyre në bashkëpunim me avokatë penalistë francez, bazuar në këtë precedent po avancojmë përpara gjykatave franceze në kontekstin e burimit të provës duke kundërshtuar ligjshmërinë e zbërthimit/hakerimit të aplikacionit ndërsa në aspektin procedural penal po kontestojmë ekzekutimin e kërkesës së autoriteteve shqiptare për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe përdorimin e të dhënave të ekztraktuara/ përpunuara nga aplikacioni Sky Ecc.

Suksesi i këtyre kontestive do të tregojë se në Francë ashtu sic janë universale të drejtat e njeriut dhe parimet procedurale, po ashtu janë edhe standardet e ligjshmërisë. Në të kundërt, nuk kemi të bëjmë me sundim të ligjit, por me një zbatim selektiv të tij – një praktikë që bie ndesh me vetë narrativën mbi të cilën ndërtohet legjitimiteti normativ i shtetit modern evropian.

Në raport me Shqiperinë, nëse autoritetet gjyqësore franceze vijonë me aplikimin selektiv të normave, Gjykatat tona duhet t’i japin rrugë debatit mbi pranueshmërinë dhe ligjshmërinë e “provave Sky Ecc”, në të kundërt proceset që kanë në themel këto prova janë haptazi në kundërshtim me Kushtetuten dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: