I ashpër ka qenë qëndrimi i kreut të PD, Sali Berisha në protestën e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kur iu drejtua kryeministrit Edi Rama.
“Ne do t’i shkojmë në Surrel…Kur ne kemi dalë me këtë betim kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne. Të nxijnë Shqipërinë…Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë””, tha Berisha.
Berisha iu përgjigj edhe skeptikëve për këto protesta duke thënë:
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptarë, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë çfarë do bëjnë këta? Ne do bëjmë atë “ja do vdesim ja do rrojmë për liri”. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel…Kur ne kemi dalë me këtë betim kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne. Të nxijnë Shqipërinë…Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Miq, zhurmë e madhe, opozita, opozita. Ku i ka forcat, ku i ka? Mjerë ata që i japin zemër Edi Ramës me gënjeshtra. Ja ku është opozita dhe do ua them unë ju. Ju jeni njerëz të bekuar. Por, opozita disa detyra të mëdha, detyrime shumë të mëdha që kishte para jush, i ka bërë. Opozita ia doli t’i dëshmojë botës se çfarë përfaqëson narkoshteti shqiptar. Ia doli t’i faktojë botës se si Edi Rama shndërroi në farsë votën tuaj. Ia doli të faktojë se Edi Rama është një armik i egër i pluralizmit. Se është një bos i karteleve më të rrezikshme të drogës në Europë. Të gjitha këto ishin të domosdoshme.
Por të gjitha këto kanë një mesazh: në këmbë shqiptarë në misionin historik për të larguar Edi Ramën, për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar demokracinë, për të shpëtuar familjen shqiptare. Ndaj dhe ne jemi këtu sot, jam i bindur se me të drejtë, jo pa të drejtë, ka qytetarë këtu në shesh, ka edhe të tjerë që na ndjekin, që thonë se çfarë do bëjnë këta. E keni shumë të drejtë pyetjen.
Por u jap fjalën që ne do bëjmë atë, ja do vdesim, ja do rrojmë për liri. Mjerë ai që provohet me ne. Dhe dijeni mirë se kur ne kemi dalë me këtë zotim, kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne. Nuk mundet kurrë nje grusht hajdutësh, narkotrafikantësh të shkelmojnë mbi dinjitetin tonë, mbi të ardhmen tonë, të nxijnë Shqipërinë, të na përzënë nga Shqipëria. Jo, kurrë. Ta harrojnë! Kemi dalë në shesh. Mos e harro këtë Edi Rama. Sheshi është i yni. Kudo që të jesh, nuk të ndahemi. Nuk të ndahemi këtu, po të jap fjalën se nuk të ndahemi as në Surrel. Hapi sytë dhe shih këta njerëz. Marshim drejt Surrelit. Po, po u them unë. Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë. Ai i ka shpallur luftë shqiptarëve, ne i shpallim luftë armikut të shqiptarëve. Ke prekur votën ti mor bastard, harrove ti se daja yt dhe babai yt për votën donin të na fusnin tanket. Të rikujtoj këtu Edi Rama 20 shkurtin, kur me autoblind përfundove në bunkeret e Enver Hoxhës. Edhe bunker nuk do gjesh më.
Le të na shërbejë ky takim madhështor proteste për një betim, betimi i njerëzve të lirë. Betimi i burrave dhe grave guximtarë, i djemve dhe vajzave guximtarë, të bashkohemi sa më shumë, dhe në emër tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, ftoj çdo guximtar të bashkohet në këtë betejë. Në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet, për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bijtë dhe bijat e saj sepse nuk i besojnë më, pavarësisht se ka pasuri përrallore.
Për familjen shqiptare, të cilën duan me cdo kusht ta shkatërrojnë sepse barti kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe tani duan ta zhdukin kjo racë armiqsh. Iu bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, hiqeni mantelin e konformizmit, intelektuali ka armik numër 1 konformizmin, është virusi më shkatërrimtar i tij. Dilni në shesh si në vitin 1991, dilni të përballemi se kem detyrime ndaj familjeve tona, ndaj qytetarëve që na besojnë. Dilni se nuk mundet kurrë një bandë si këta të përvetësojë, të privatizojë shtetin dhe gjithçka.
Thirrje fermerëve të Shqipërisë, shikoni fqinjët tuaj se si u bllokuan rrugët për të drejtat e tyre, që i kanë 100 herë më të mëdha se në Shqipëri, bashkohuni se tokat tuaja po mbeten djerrë, se fëmijët tuaj po shkojnë të punojnë tokat nëpër botë, të shpëtojmë sa më shpejt nga ky regjim. PD qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë. Edi Rama, sonte është një kufomë politike. Rilindja sonte është një kufomë politike. Ajo pret funeralin, do t’ia bëjmë ne funeralin.
Ndaj dhe duke u përulur edhe njëherë me nderimin më të madh para jush, duke falënderuar edhe ata që lanë pa drita këtë tabelë dhe unë nuk lexova fjalimin, por fola nga zmra dhe shpirti për ju, iu uroj, u falënderoj, përulem me nderim të madh. I keni bërë vendit një shërbim të jashtëzakonshëm. Jeni lodhur, keni dalë nga shtëpitë tuaja, keni ardhur nga anekënd, por rrallë ndonjëherë keni dhënë kontribut kaq të madh. Duhet të keni besim se siç e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë. Ndaj dhe rrofshi ju, rroftë Shqipëria, fitore, fitore, fitore!
