Për të dytin vit radhazi Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme ka hedhur për diskutim publik projekt-ligjin mbi shërbimin diplomatik. Krahas interesit dhe disa vlerësimeve, ky projekt ka ngjallur edhe shumë shqetësime, madje serioze për shkak të frymës dhe përmbajtjes dhe sidomos të shumë ndryshimeve që do të dëmtonin rëndë ose siç thuhet në të tilla raste “në vend t’i vinin vetullat, do t’i nxirrnin sytë” shërbimit tonë diplomatik, sidomos atij të karrierës.

Të gjithë, por veçanërisht ata që kanë qenë pjesë aktive e diplomacisë sonë deri tani vonë, ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, e pranojnë se një nga gjërat e mira që politika jonë e të dy krahëve ka bërë në 35 vitet e fundit është krijimi dhe konsolidimi i një trupe diplomatike të aftë, sipas kërkesave dhe kritereve ndërkombëtare. Pa përjashtuar gabime dhe mangësira të mëparshme, kemi një diplomaci karriere me shumë përvojë brenda dhe jashtë vendit; me diplomatë dhe ambasadorë që kanë shërbyer për disa mandate në vende të ndryshme dhe pranë organizatave ndërkombëtare, mes tyre tashmë shumë vajza dhe gra të shquara. Rikujtojmë se anëtarësimi ynë në NATO, statusi kandidat dhe tani aspirant të anëtarësimit në BE, kryesimi ynë për herë të parë i KiE-së, i OSBE-së më 2020, i nismave rajonale, zgjedhja për herë të parë anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së më 2022 – 2023, mikpritja e disa samiteve të BE-së europianë në dhe ai i NATO-s më 2027 në Tiranë, etj janë produkte të demarsheve disavjeçare të MEPJ-së dhe përfaqësive diplomatike jashtë vendit; natyrisht në zbatim të politikës tonë të jashtme dhe të qeverive përkatëse.

Në këto kushte, është e panevojshme, e pajustifikueshme dhe e dëmshme të bësh një ligj të ri në emër të gjoja dinamikave dhe reformave, kur as BE-ja nuk ta kërkon; ca më tepër kur ligjin ekzistues e ka miratuar kjo shumicë në vitin 1915. Ndaj është më e drejtë të flitet për “ndryshime“ në ligjin ekzistues, siç ndodh zakonisht në praktikën tonë juridike.

Për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe problematikat e mëposhtëme po ndalemi te diplomacia e karrierës, e cila duhet të jetë shtylla kurrizore e ligjit mbi shërbimin diplomatik. Diplomatë karriere janë ata që kanë filluar punën në diplomaci pas përfundimit të shkollës ose në periudha të mëvonshme dhe e mbyllin karrierën e tyre profesionale, në misione brenda dhe jashtë vendit. Nga kjo pikëpamje, diplomati është i ngjashëm me ushtarakun e karrierës; në të dy këto raste, vlerësimi bëhet sipas gradave. Në rastin e diplomatit, gradat fillojnë me atashe, për të kaluar në: Sekretar i Tretë, i Dytë, i Parë, e pastaj në shkallët e larta: Këshilltar, Ministër Këshilltar, Fuqiplotë dhe Ambasador. Diplomatët e karrierës dallohen dhe kanë përparësi absolute mbasi ata u shërbejnë interesave madhore dhe afatgjata të shtetit e jo të një partie apo koalicioni partish të caktuara; karriera e tyre nuk ka lidhje me rotacionin politik të një vendi.

Në vijim të ideve dhe mendimeve të shprehura vitin e kaluar edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë në Letrën drejtuar Ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme dhe kolegëve të tjerë, më poshtë po ndalemi kryesisht dhe konkretisht te difektet, mungesat dhe mangësitë e shumta të projekt-ligjit në fjalë. Duke filluar nga FRYMA, ky Projekt-ligj, në tërësi dhe me disa nene të veçanta, në vend që t’i shërbejë forcimit dhe modernizimit të diplomacisë së karrierës, e zhvesh atë edhe më shumë nga ana profesionale, duke e kthyer në një ligj klientelizmi politik dhe partiak, ku përfaqësues të këtyre të fundit, të veshur me kostumin e diplomatit do ta kthenin këtë shërbim karriere në diplomaci partiake.

Ky Projekt – Ligj forcon tej mase rolin e Ministrit edhe në çështje që nuk i përkasin kategorisë “drejtim politik” Madje, Ministri merr kompetenca të gjithëfuqishme vendimmarrëse edhe në çështjet e ecurisë së karrierës së diplomatëve, pranimeve në Shërbimin e Jashtëm të “specialistëve” jashtë sistemit dhe të emërimeve në Ministri dhe në Përfaqësitë jashtë vendit, çka nuk ndodh në asnjë vend tjetër.

Ndërkohë, ky fuqizim i kompetencave të Ministrit shoqërohet me zbehjen e skajshme të rolit të Sekretarit të Përgjithshëm, duke e reduktuar atë nga drejtues kryesor i sistemit të karrierës dhe të funksionimit administrativ të institucionit, në një nëpunës të rëndomtë, të cilit nuk i lihet as kompetenca formale e propozimit të emërimeve në sistemin e Shërbimit të Jashtëm.

Nisur nga sa sipër, nëse fryma e këtij Projekt-ligji është vërtet forcimi i profesionalizmit dhe diplomacisë së karrierës, synim që ky Ligj ka patur qëkurse u hartua për herë të parë në vitin 1998, atëhere sistemin e karrierës nuk duhet ta përcaktojë e ta drejtojë Ministri përgjegjës, por vetë diplomacia e karrierës, nëpërmjët komisioneve përkatëse, të drejtuara nga Sekretari i Përgjithshëm.
Goditja ndaj diplomacisë së karrierës në Projekt-ligjin që propozohet, pasqyrohet dhe realizohet nëpërmjet përmbysjes së butë të raporteve midis diplomacisë së karrierës dhe të ashtuquajturës diplomaci e rrugës/outsiders; nëpërmjet uljes së nivelit të gradave diplomatike për ata që do të vijnë nga jashtë sistemit dhe emërimit të tyre të pritshëm në poste të larta drejtuese në MEPJ apo misione/përfaqësi diplomatike jashtë vendit; nëpërmjet heqjes së fashave kufizuese për ata që do të emërohen si Titullarë Misionesh, duke synuar shtrirjen e trupës së anti-karrierës dhe në poste drejtuese brenda MEPJ, etj.

Pikërisht në funksion të synimeve të lartpërmendura janë vënë edhe 5 – 6 ndryshimet kryesore që propozohen, të cunguara, problematike dhe kundrathënëse; ndaj, nëse nuk mund të hiqen, të paktën duhen saktësuar dhe konkretizuar me kuota dhe norma kufizuese.

E “reja“ kryesore negative është që në vend të vendosej kufiri i dikurshëm madje reduktuar lidhur me përqindjen e Ambasadorëve politikë ose të jashtëm, ajo është hequr fare, ndërkohë që oreksi qeveritar dhe politik për shtimin e numrit të tyre vazhdon të rritet. Por, më parë le ta themi se caktimi si titullarë përfaqësish të personaliteteve të spikatura të artit, kulturës, letërsisë, botës akademike dhe sportit është i mirëpritur; veçse kjo në ligj të kufizohet deri në jo më shumë se 10 përfaqësi të rëndësishme për një mision dhe periudhë të caktuar kohe. Por jo siç ka ndodhur që të kooptohen nga jashtë ambasadorë dhe diplomatë të thjeshtë, dhe pastaj të vazhdojnë karrierën diplomatike pa konkurim, në dëm të diplomatëve profesionistë që ia kanë kushtuar jetën e tyre diplomacisë ose siç propozohet aktualisht.

Kujtojmë se deri para 10–15 vitesh Ligji përkatës sanksiononte kuotën 20% për Ambasadorët jashtë sistemit. Mbështetur sa parashtruam edhe në paragrafet e mësipërme, ky Projekt-ligj duhet ta ulë deri në 10 për qind këtë kuotë. Çka do të thotë që nga mbi 15 ambasadorë politikë aktualisht dhe që synohet të shtohen, të kemi vetëm 6 – 7 dhe ata për nevojë të veçanta dhe me argumentet përkatëse e jo “ rroftë sebepi” E përse paska nevojë tani diplomacia jonë për ambasadorë politikë, kur kemi plot Ambasadorë karriere me përvojë, me kontribut dhe imazh shumë të mirë? Thjesht për besueshmëri politike si dikur te sundimtarët apo për t’i rehatuar politikanët që dështojnë ose nuk fitojnë në zgjedhje? Ca më tepër kur përvoja jonë e 35 viteve të fundit tregon avantazhet e mëdha të ambasadorëve të karrierës. Më konkretisht, nëse ambasadori nga politika mund ta jutifikojmë, ok, në Uashington, në Ankara e ndonjë organizatë ndërkombëtare për një moment të caktuar, përse duhet ambasador politik në Kanada, në Azerbaixhan dhe në 10 vende të tjera?

Lidhur me këtë pikë, vërtet që as Franca, Belgjika, Gjermania, Spanja, nuk e kanë këtë klauzolë kufizuese. Por kjo ndodh vetëm sepse atje ka një frymë dhe traditë të konsoliduar që rrallë, shumë rrallë emërojnë ambasadorë politikë ose nga jashtë, ndërsa diplomatë në përfaqësitë diplomatike nga jashtë absolutisht fare. Atje përpara se të emërojnë një ambasador nga politika duhet ta kenë shumë mirë të argumentuar, ndryshe “bëhet nami“ në komunitetin diplomatik, në media dhe në publik me pyetjen asgjënsuese “PERSE? të cilës është tejet e vështirë t’i japësh përgjigje. Pikërisht nga kjo frymë dhe gërma duhet të mësojë diplomacia jonë, se janë shumë më afër nesh. Ndërsa në SHBA ndryshon puna, atje vërtet 50 për qind e ambasadorëve( por jo e diplomatëve) janë politikë ose të jashtëm; por ky nuk është shembull për t’u ndjekur domosdoshmërisht nga ne për shkak të kushteve krejt të ndryshme që ne kemi me SHBA-të, dhe kryesorja profili dhe madhësinë gjigande të Ambasadave atje. Ambasadat amerikane kanë departamente me shefa që janë diplomatë karriere. Dhe, kryesorja, kur mbarojë shërbimin apo kur kryhet rotacioni partiak në pushtet, nuk ka asnjë klauzolë ligjore që i mban ata në shërbimin diplomatic apo ca më keq akoma t’i konvertojë në ” diplomatë karriere” siç propozohet në projekt-ligjin tonë. Logjika është fare e thjeshtë, zotëri, ti erdhe si ambasador vetëm falë Partisë tënde, si ish deputet apo kandidat për deputet apo nuk e di se çfarë, por tani që ikën partia jote, bshkë te të duhet të ikësh edhe ti! Pik! Ndaj kjo klauzolë do hequr, ndryshe shërbimi i karrierës diplomatike do marrë goditje fatale duke humbur besueshmërinë e tij.

Ndryshimi tjetër i çuditshëm dhe i paparë në praktikën ndërkombëtare ka të bëjë me mundësinë e caktimit të një ambasadori tjetër nga Ministri i Jashtëm në një Përfaqësi diplomatike, krahas ambasadorit normal që njihet dhe quhet “Ambasador i jashëzakonshëm dhe fuqiplotë”. Ndaj një ambasador tjetër do të krijonte një dualizëm problematik të mbarsur me dyshime të mëdha te pala pritëse dhe me pasoja të paparashikuara.

Po aq shqetësues është fakti se projekt-ligji në fjalë dobëson sistemin e karrierës diplomatike në favor të vendimeve arbitrare dhe hyrjeve të pakontrolluara në sistem. Kjo sjell dëm sistemik, duke ulur interesimin e kandidaturave të mira për diplomatë karriere pa mbështetje politike apo njohje personale, rrjedhimisht edhe të cilësisë së personelit diplomatik. Në disa nene të veçanta të Projekt-ligjit, shohim me keqardhje se shqetësimi dhe meraku më i madh është përshtatja e ligjit dhe rregullave përkatëse ndaj akomodimit të nevojave në rritje për zgjerimin e diplomacisë sonë, tashmë nga jashtë, në dëm të shërbimit përcaktues të karrierës nga brenda. Kështu, ndërkohë që forcohen më tej kushtet, kriteret dhe kërkesat për diplomatët dhe titullarët e karrierës, ato liberalizohen dhe lehtësohen ndjeshëm për kooptimin e diplomatëve nga jashtë, duke krijuar një pabarazi dhe padrejtësi sociale të dëmshme. Ky rrezik pasqyrohet në ndryshimin tjetër me pasoja serioze për shërbimin e diplomacisë së karrierës siç është rekrutimi i ekspertëve të ndryshëm nga jashtë dhe sidomos nga organizatat ndërkombëtare, pa caktuar asnjë kufi apo kuotë dhe duke lënë vend për abuzime.

Në fakt, ligji ekzistues dhe Rregullorja përkatëse nuk pengon që për nevoja të ndryshme të veçanta të rekrutohet një ose një numër tepër i kufizuar i këtyre ekspertëve. Po ashtu edhe një numër tejet i kufizuar bashkëatdhetarësh ama me pozicione drejtuese në organizatat ndërkombëtare të mund të caktohet Ambasador. Por, edhe këta për një periudhë të caktuar, të përkohshëm dhe me kontratë, por jo të kooptohen si diplomatë karriere, dukle hyrë nga “ dritarja. Nëse ka prej tyre që duan të bëhen diplomatë karriere, dakord, rrugën e kanë të hapur, por ama duke iu nënshtruar si gjithë të tjerët konkursit të pranimit dhe formaliteteve të tjra ligjore, por jo “ ta bëjë detin kos” siç tentojnë këto ndryshime të propozuara. Ndryshe, në diplomacinë tonë disa do të jenë “ të nënës” dhe disa të tjerë “ të njerkës” duke krijuar diskriminim dhe padrejtësi sociale mes tyre. Gjithashtu, këtu është vendi që të shmanget fetishizimi i ekspertëve tanë në organizatat ndërkombëtare, qoftë dhe në BE dhe gjetkë. Duke vlerësuar aftësitë e tyre, gjithsesi ata nuk i kalojnë caqet e një eksperti për një temë të caktuar. Për të qenë realistë, diplomatët tanë kanë epërsi ndaj tyre, sepse e kanë zanat dhe pasion, plus kanë përvojë të lakmueshme diplomatike në poste dhe vende të ndryshme, ku kanë fituar dhe gradat përkatëse, sipas vjetërsisë në punë. Dhe me këtë përvojë tanimë 35 vjeçare, çdo krahasim i tyre me të tjerë jashtë sistemit, sado të aftë qofshim është pa vend. Për t’u bindur për këtë realitet, shënojmë se të gjithë shërbimet e huaja diplomatike caktojnë diplomatë dhe si ekspertë, madje edhe drejtues të niveleve të ndryshme në organizatat ndërkombëtare; ndërsa këta të fundit rrallë kthehen në shërbimet diplomatike të vendeve të tyre, sepse nuk i bëjnë dot ballë konkurrencës nga diplomatët e vendit me përvojën dhe jetegjatësinë e tyre në diplomaci. Sa për kujtesë, një praktikë e tillë u ndoq këtu e 10 – 15 vite më parë; jo vetëm pa ndonjë përfitim sepse shumica e tyre u kthyen në “parazitë diplomatikë“ me “krahë të ngrohta“ por disa pej tyre u zhdukën pa lënë gjurmë pa dorëzuar as çelësat e apartamenteve ùe një imazh tejet negativ.

Një nga “të rejat“ absurde është testi/provimi brenda 12 muajve të ardhshëm për gjithë trupën tonë diplomatike. Përveç testit të pranimit pasi ke fituar konkursin për rekrutim në këtë shërbim dhe testit për diplomatët që kërkojnë gradën “Këshilltar“ që ekziston edhe në ligjin në fuqi, në asnjë vend tjetër të botës nuk ka test tjetër. Kjo mbasi sipas ligjit dhe rregulloreve përkatëse, diplomatët e karrierës kalojnë nga grada më e ulët te më të lartat mbi bazën e viteve të punës dhe plotësimit të kritereve të përcaktuara; këto verifikohen dhe konfirmohen çdo vit me hollësi nga instancat dhe komisionet vlerësuese përkatëse profesioniste brenda sistemit. Ndaj, organizimi i këtij testi ngre shumë pikpyetje dhe probleme, si a do të jetë provim mature apo diplome? Si do të diferencohen diplomatët me grada dhe pozicione të dnryshme në këtë test apo en block? Si dhe kush do t’i marri në provim diplomatë që kanë 20 dhe më shumë vite punë, që kanë qenë apo edhe janë ambasadorë dhe drejtorë në Ministri? Po diplomatë të tjerë dhe nuk janë pak që kanë grada të larta diplomatike por edhe shkencore, si Master, Dr, etj? Nuk po përmendim këtu faktin që pa humbur modestinë, falë natyrës dhe përvojës së gjatë në punë, diplomatët tanë të karrierës kanë një horizont politik dhe kulturor të lakmueshëm nga të gjithë dhe pse jo, janë të pakonkurueshëm nga kushdo që mund të vijë nga jashtë. Ca më tepër, në diplomacinë tonë nuk ka nevojë për akademizma dhe shkencë të madhe, por për operativitet dhe zhdërvjelltësi. Ambasadat tona dhe MEPJ-ja nuk janë qendra kërkimore dhe shkencore, as think tanke e ca më pak akademi, por qendra operative pune që merren me të 6 dimensionet e diplomacisë, klasike, parlamentare, ekonomike, publike, kulturore dhe dixhitale.

Veç kësaj, me përjashtim të disa ambasadave tona në vendet më të mëdha, të gjithë të tjerat kanë një personal minimal në numër, por me një aktivitet tejet të gjerë e të larmishëm, me vizita delegacionesh, me axhenda, pritje dhe evente kulturore, artistike, pritje, etj. Kush ka qenë diplomat karriere e di mirë se këto dhe të tjera aftësi nuk fitohen me shkollë dhe provime të tilla, por me zell, pasion dhe përvojë praktike. Ndaj, ky test ngjall dyshime të mëdha për “ lepurin që fshihet pas ferrës”.

Në projekt cilësohet si arritje dhe risi krijimi i Akademisë Diplomatike. Në fakt, ajo ka ekzistuar përherë në këto 35 vitet e fundit, madje ka patur edhe më parë përpjekje për ta zgjeruar, për ta bërë si homologet e saj në vende më të mëdha. Por ato përpjekje knë dështuar për shumë shkaqe që njihen në MEPJ dhe se të tilla janë kushtet tona. Pastaj, shumica dërmuese e diplomatëve tanë janë kualifikuar ose vazhdojnë të kualifikohen në institute dhe akademi të mirënjohura jashtë vendit, ose edhe në institucione brenda vendit, ku kanë marrë edhe grada shkencore në fushën e tyre. Ndaj 10 vitet e fundit ajo u hoq fare duke e katandisur në seksion të një drejtorie dhe aktiviteti i saj ka qenë pothuajse zero. Tani, nëse ajo do të kryejë detyrat siç pretendohet, kjo kërkon kohë, njerëz të kualifikuar që duhen paguar dhe fonde të mëdha, që ne nuk i kemi dhe në fakt nuk ia vlejnë. Në vend të kësaj sforcoje, MEPJ do të bënte mirë të vlerësonte dhe të bashkëpunonte me diplomatë dhe ambasadorë që janë në pension ose punojnë si drejtues të think tankeve të ndryshme, ose që janë analistë dhe publicistë të njohur diplomatikë; kjo nuk kërkon fare fonde, por vetëm kujdes dhe vlerësim të përvojës së tyre, duke marrë pjesë në promovimin e botimeve të tyre, në ligjërata, në grupe pune, etj. E ku ka akademi më të mirë se sa Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, i cili ka në përbërjen e vet mbi 60 ish ambasadorë dhe diplomatë karriere të shquar, 4 ish ministra të Jashtëm dhe drejtues të lartë të diplomacisë sonë. Por çuditërisht edhe pse nuk ka mbetur Ambasador i huaj pa zhvilluar takime dhe evente me KASH-in, Ministria jonë e Jashtme nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë të paktën një takim zyrtar me të. Të vjen keq kur në promovime librash të tyre nuk vjen asnjë përfaqësues nga MEPJ-ja apo ca më keq akoma as kujtohet të dërgojë një mesazh ngushëllimi për një ish ambasador dhe ish drejtor qedhe kur ndahet nga jeta!

Ka edhe arsye të tjera përse ky projekt-ligj duhet të kthehet mprapsht, mbasi vështirë të thuhet se ofron diçka vërtet të re dhe pozitive për shërbimin tonë diplomatik, veçanërisht atë të karrierës, të krijuar me aq shumë mundim në 35 vitet e fundit.

*Autori, Mjeshtër i Madh, është edhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: