Gazetari Armand Maho, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protesta kombëtare e Partisë Demokratike e mbajtur një ditë më parë.
Sipas Mahos, pjesëmarrja në protestë ishte e kënaqshme, duke marrë parasysh rrethanat aktuale. Ai theksoi se protesta mund të konsiderohet një arritje, pasi arriti të përcjellë një mesazh të qartë si për opinionin publik vendas, ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar, se ekziston një pakënaqësi e thellë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe skandaleve që po e shoqërojnë atë.
“Pjesëmarrja ishte masive dhe e kënaqshme për kushtet ku jemi. Mund të konsiderohet një arritje. U tregua se ka pakënaqësi me atë që po ndodh me skandalet e qeverisë”, u shpreh Maho.
Ai theksoi se arsyeja kryesore e protestës është pakënaqësia ndaj qeverisë dhe jo domosdoshmërisht mbështetja për opozitën. Sipas tij, qytetarët dalin në protestë sepse ndihen të dëmtuar nga korrupsioni dhe vjedhja.
“Arsyeja e vërtetë e protestës është pakënaqësia ndaj qeverisë. Nuk ka të bëjë thjesht me mbështetjen ndaj opozitës. Qytetarët duhet të dalin kundër vjedhjes që u bëhet, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo opozita”, deklaroi gazetari.
Sakaq, ai foli edhe për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe përballjen e saj me drejtësinë, duke u shprehur se nëse mazhoranca nuk i heq imunitetin Ballukut, Rama do përballet me presionin ndërkombëtar dhe do e ketë shumë të vështirë të mbajë pushtetin.
“Është sulm direkt ndaj institucioneve të drejtësisë për të cilën të paktën amerikanët kanë investuar të paktën 180 milion euro”, u shpreh ai.
