Këshilli Bashkiak i Lushnjës vendosi këtë të martë t’i heqë titullin “Qytetar Nderi” Gjergji Velos, një titull që ishte miratuar vetëm dy muaj më parë, mes kundërshtive të forta nga këshilltarët e djathtë dhe Partia Demokratike.

Vendimi i mëparshëm ishte marrë mbi bazën e një informacioni të paplotë të paraqitur nga Autoriteti i Dosjeve. Pas rishqyrtimit të çështjes dhe përfshirjes së saj në rendin e ditës, Këshilli Bashkiak votoi heqjen e titullit me 23 vota pro, 4 kundër dhe 8 abstenime.

Gjergji Velo ka mbajtur funksionin e kryetarit të Komitetit të Lushnjës gjatë periudhës së komunizmit dhe, sipas demokratëve, ka firmosur vendime që e cilësojnë atë si persekutor të kundërshtarëve politikë të regjimit.

Pas këtij vendimi, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili e cilësoi votimin si një rikthim të dinjitetit për të përndjekurit dhe të internuarit e qytetit të Lushnjës.

“Dinjiteti i të përndjekurve dhe të internuarve në qytetin e Lushnjës u vendos në vend. Gjergji Velos iu hoq titulli ‘Qytetar Nderi’. Për t’u respektuar këshilltarët e majtë që votuan për heqjen e titullit shokut Velo, duke i dhënë një leksion edhe Bashkisë”, u shpreh Korreshi.

Ai shtoi gjithashtu se një ndjesë publike nga ana e Bashkisë do të ishte e nevojshme, duke kërkuar edhe heqjen e fotove nga ceremonia e dhënies së titullit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb