Kuvajti ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 4.1 miliardë dollarë me Kinën për të përfunduar ndërtimin e një porti të madh, ndërsa vendi i pasur me naftë kërkon të diversifikojë ekonominë e tij me një rol më të madh në tregtinë globale.

Byroja Shtetërore e Auditimit, një organ mbikëqyrës qeveritar përgjegjës për monitorimin e fondeve publike, tha të hënën se “kontrata e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit për të përfunduar projektin e Portit Mubarak al-Kabeer do të kushtojë 1.28 miliardë dinarë kuvajtianë (4.164 miliardë dollarë)”.

Kryeministri Sheikh Ahmad al-Abdullah al-Ahmad al-Sabah mori pjesë në “ceremoninë për nënshkrimin e kontratës inxhinierike-furnizuese-ndërtuese për ndërtimin e Portit Mubarak Al-Kabeer në ishullin Boubyan”, raportuan mediat shtetërore.

Ai tha se projekti kyç do të “rritte pjesën e Kuvajtit në tregtinë rajonale dhe ndërkombëtare dhe zinxhirin global të furnizimit”.

I ngarkuari me punë në detyrë i Kinës, Liu Xiang, tha se marrëveshja “përbën pjesëmarrje në nismën ‘Një brez, një rrugë’”.

Në vitin 2023, Kuvajti nënshkroi shtatë memorandume mirëkuptimi me Kinën për projekte, përfshirë Portin Mubarak al-Kabeer, si dhe për strehim, trajtim uji dhe energji të rinovueshme.

Kina është përqendruar në Lindjen e Mesme si pjesë e Iniciativës së saj “Një Brez, një Rrugë”, një projekt i gjerë global infrastrukturor i zhvilluar gjatë dekadës së fundit nën Presidentin Xi Jinping.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb