Tre persona, mes tyre dy oficerë të policisë rrugore, kanë humbur jetën pas një shpërthimi të ndodhur në Moskë, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.

Sipas Komitetit Hetues të Rusisë, dy oficerë të policisë vunë re një person të dyshimtë pranë një automjeti policie në rrugën Yeletskaya. Kur iu afruan për ta ndaluar, një pajisje shpërthyese u aktivizua, duke shkaktuar shpërthimin fatal.

Dy oficerët e policisë ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa një person tjetër që ndodhej pranë vendngjarjes humbi gjithashtu jetën.

Ngjarja ndodh vetëm dy ditë pas një tjetër sulmi të rëndë në kryeqytetin rus, ku një gjeneral i lartë u vra nga një makinë-bombë. Gjenerallejtnant Fanil Sarvarov humbi jetën pasi një pajisje shpërthyese, e vendosur nën automjetin e tij, u aktivizua.

Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, deklaroi në Telegram se autoritetet kanë hapur një çështje penale dhe po hetojnë rrethanat e shpërthimit, i cili cilësohet si përpjekje për vrasjen e oficerëve të policisë së trafikut.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar përgjegjësit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb