Muzeu i Luvrit në Francë ka ndërmarrë masa shtesë sigurie, duke instaluar shufra mbrojtëse në ballkonet e tij, pas grabitjes së bujshme të ndodhur më 19 tetor, ku u vodhën xhevahire të kurorës me vlerë rreth 102 milionë dollarë.

Sipas autoriteteve, katër persona hynë me forcë në muzeun më të vizituar në botë duke përdorur një kamion ngritës, me të cilin u ngjitën në ballkonin e Galerisë Apollo. Ata thyen një dritare, hapën vitrinat që përmbanin bizhuteritë dhe u larguan me skuterë, të drejtuar nga bashkëpunëtorë. E gjithë grabitja zgjati më pak se shtatë minuta. Të martën, më 23 dhjetor, një vinç ngriti dhe vendosi shufrat e reja të sigurisë për të mbyllur hyrjen prej xhami që të çonte në ballkon. Në një reagim zyrtar në platformën X, drejtuesit e muzeut thanë se “Luvri ka nxjerrë mësime nga vjedhja e 19 tetorit dhe po vazhdon transformimin dhe forcimin e arkitekturës së sigurisë”.

Muzeu bëri të ditur gjithashtu se një njësi policore e lëvizshme tashmë është vendosur pranë rrethrrotullimit përpara piramidës ikonike prej qelqi dhe se rreth 100 kamera të reja sigurie do të instalohen gjatë vitit të ardhshëm. Policia ka identifikuar tetë persona të dyshuar në lidhje me grabitjen, ndërsa bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë në Luvër, i cili strehon disa nga veprat më të çmuara të artit në botë, përfshirë pikturën e famshme “Mona Liza”.

Zyrtarët e muzeut kanë pranuar se kishte mungesë të mbulimit me kamera në muret e jashtme dhe në ballkonin ku ndodhi vjedhja. Grabitja erdhi në një periudhë problematike për Luvrin, i cili javët e fundit është përballur edhe me mbylljen e një galerie për shkak të dobësive strukturore, dëmtime nga rrjedhjet e ujit në sektorin e antikiteteve egjiptiane dhe greva të stafit që çuan në mbyllje të pjesshme të muzeut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: