Moska ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të vënë në lojë Bashkimin Europian.
Në një reklamë satirike për Krishtlindje që publikohet në televizionin shtetëror rus, ironizohet politika europiane e cila sipas rusëve, për çdo gjë fajëson presidentin Vladimir Putin.
Në spot paraqitet Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili shfaqet si Babagjyshi i Vitit të Ri, i veshur me blu dhe me simbole ukrainase. Përreth tij janë versione të redaktuara në mënyrë dixhitale ( IA ) të politikanëve evropianë dhe gazetarëve të njohur, të cilët marrin pjesë në një ngjarje muzikore të Krishtlindjeve. Të gjithë përsërisin, me një ton sarkastik, se çdo problem – nga ekonomia te siguria – është “faji i Putinit”.
Skenat në video paraqesin imazhe që i referohen një krize energjetike dhe pasigurie sociale: fatura të larta të energjisë elektrike, familje të varfra, tavolina të shtrenjta festive dhe emigrantë që duket se janë ulur nën pemën e Krishtlindjeve.
Mesazhi përpiqet ta paraqesë Evropën si të bllokuar në një narrativë të fajësimit kolektiv për çdo problem të brendshëm mbi Rusinë.
Në kulmin e spotit, shfaqet “ Zelensky – Babagjyshi” duke vjedhur dhuratat e fëmijëve, duke parë me ironi kamerën. Kjo pasohet nga fraza se edhe kjo “është për shkak të Putinit”.
Videoja mbyllet me një familje evropiane që shikon televizor, ku prezantuesit dhe komentatorët përsërisin të njëjtën rrëfim, përpara se të dëgjohet thirrja e fundit: ” Të dashur evropianë, mbani besimin tuaj të verbër te Babagjyshi i Vitit të Ri”.
