Në Napoli është rikthyer qetësia dhe raporti mes presidentit Aurelio De Laurentiis dhe trajnerit Antonio Conte duket më i fortë se kurrë. Sipas mediave italiane , De Laurentiis dëshiron të zgjasë kontratën e Contes edhe për dy vite të tjera, duke e mbajtur atë në stolin e Napolit deri në vitin 2029.

Pas fitores në Superkupën Italiane në Riad, presidenti ka riafirmuar publikisht besimin e tij të plotë te trajneri, duke e konsideruar punën e Contes vendimtare për sukseset e skuadrës. Një ndryshim i madh krahasuar me periudhën e vështirë që pasoi humbjen ndaj Bolonjës në kampionat, mes polemikave dhe zërave për një largim të mundshëm.

Mbetet për t’u kuptuar qëndrimi i vetë Contes. Historia e tij tregon se rrallë ka qëndruar më shumë se dy sezone në një klub, përjashtim Juventusi mes viteve 2011 dhe 2014. Në sfond mbetet gjithashtu edhe opsioni i rikthimit në stolin e Kombëtares italiane, në varësi të rezultateve që do të arrijë Gattuso.

Në aspektin sportiv, Conte po konfirmon edhe një herë vlerat e tij si një nga trajnerët më të mirë në botë. Pavarësisht dëmtimeve të shumta dhe mungesave të rëndësishme, ai ka ditur të përshtatet, duke ndryshuar disa sisteme loje dhe duke ruajtur parimet e tij taktike.

Vlerësimi për Conten vjen edhe nga vetë lojtarët, të cilët kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre. De Laurentiis dëshiron ta blindojë trajnerin, por tani pritet vendimi i Contes për të ardhmen e tij në Napoli.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: