Shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar një 32-vjeçar në Sukth, pas një aksidenti rrugor dhe verifikimeve të mëtejshme që zbuluan se ai ishte në kërkim nga drejtësia.

Ngjarja u regjistrua pasi një automjet u përplas me disa pemë. Menjëherë pas njoftimit, policia mbërriti në vendngjarje për kryerjen e veprimeve procedurale. Gjatë kontrolleve, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. D., iu nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultati në matjen e dytë ishte 1.29 mg/l, mbi normat e lejuara.

Nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar në vitin 2024 me dy vjet burgim për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Sipas autoriteteve, në vitin 2022 ai kishte administruar një subjekt përmes të cilit janë lëshuar fatura fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Si pasojë e aksidentit, pasagjeri në automjet pësoi dëmtime të lehta. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. D. u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb