Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka komentuar në një postim në Facebook dekretimin nga presidenti amerikan Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA 2026), duke e cilësuar atë si “dritë shprese për Ballkanin Perëndimor” dhe një goditje për regjimet që lidhen me krimin, përfshirë edhe qeverinë e Tiranës.
Sipas Shehut, ligji 8-vjeçar NDAA 2026, me pjesën e tij “Për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, është unik dhe ka rëndësi jetike për stabilitetin e rajonit. Ligji nuk synon vetëm stabilizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi përmes njohjes reciproke, por vendos edhe një “vijë të kuqe” ndaj çdo tentative për shkëmbime territoriale apo krijimin e shteteve etnike.
Ai shtoi se ligji konsideron sigurinë, stabilitetin, demokracinë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë të interesit të sigurisë kombëtare të SHBA-së. Ligji përcakton qartë se këto shtete duhet të jenë funksionale, demokratike, multietnike, që bashkëjetojnë në paqe dhe me respekt të ndërsjellë, me ekonomitë e tyre të integruara në një treg të përbashkët, si dhe të integruara në BE dhe NATO.
Shehu theksoi se ky ligj amerikan paraprin politikën e BE-së, duke kërkuar konsensus të unifikuar mes vendeve anëtare për integrimin e Ballkanit Perëndimor, dhe është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin tonë.
Sipas deputetit demokrat, NDAA 2026 del në një kohë kur administrata amerikane ka vendosur në plan të parë luftën kundër deformimit të demokracisë dhe votës, censurës, krimit, narkotrafikut dhe korrupsionit. Shehu e cilësoi ligjin si një mbështetje të çmuar për përpjekjet e opozitës shqiptare për të luftuar krimin dhe korrupsionin, rivendosur vlerat demokratike dhe për të çliruar vendin nga kontrolli i institucioneve nga pushteti aktual.
