Eksperti i energjisë, Eduart Elezi, i ftuar në studion e News24, ka folur gjatë për situatën e sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për praktika të dyshimta që sipas tij kanë çuar në çmime të larta dhe krizë menaxhimi.

Elezi theksoi se çmimi për abonentët familjarë duhej të ulej, duke argumentuar se energjia e prodhuar brenda vendit ka kosto shumë të ulët. “Po t’i referohesh tregut, çdo biznes apo palë që nuk konsiderohet familjar paguan 19.5 lekë për kWh, sikur gjithë energjia të vinte nga importi. Energjia nga importi kushton rreth 10 lekë për kWh. Edhe për abonentët familjarë, të gjithë energjia që prodhohet këtu, që është me kosto të lirë, nuk reflektohet në faturë. Nëse kjo energji të merrej nga KESH, çmimi për familjarin do të ishte rreth 7-7.5 lekë për kWh”, u shpreh Elezi.

Ai kritikoi gjithashtu investimet dhe menaxhimin e kompanive publike. “Enti rregullator nuk ka ndjerë obligimin ligjor për investime në kompani publike. Shpenzime që nuk i shërbejnë KESH-it, konsulenca me miliona euro, paguhen nga konsumatori. Kostoja shkarkohet ose te abonenti familjar ose te biznesi shqiptar. Çmimet e energjisë në Shqipëri janë më të lartat në rajon dhe ndër më të lartat në BE”, tha eksperti.

Duke folur për tregun e energjisë, Elezi theksoi se mosliberalizimi ka krijuar monopol dhe korrupsion: “Ministrja Balluku dhe elementë të kompanive që merren me tregtimin e energjisë kanë realizuar tendera fiktivë. Shqipëria eksporton me çmime shumë të ulëta dhe kur importon i merr me çmime pa logjikë. Ky është një prej arsyeve pse BE e ka përjashtuar Shqipërinë në ministrialin e energjisë, për shkak të cenimit të tarifave në bursë.”

Eksperti shtoi se problemi nuk është vetëm ekonomik, por edhe teknik: “Shqipëria ka shkaktuar blackout në gjithë Ballkanin. Linjat e transmetimit punuan në maksimum pa rezerva, duke shkaktuar ndërprerje furnizimi për Greqinë dhe vende të tjera. Kjo nuk është një hetim zyrtar, por një analizë teknike. Kostot e shkaktuara janë shumë të larta dhe mund të faturohen përmes tregut rajonal të energjisë.”

Elezi përmendi gjithashtu problemet në çmimet për abonentët familjarë dhe bizneset: “Nëse do kishim një ndarje reale të kostove, çmimi për familjarin do të ishte rreth 7-7.5 lekë. Energjia jofamiljare është shumë e shtrenjtë. Reforma për liberalizimin e tregut nuk ka funksionuar, ka krijuar monopol dhe korrupsion, duke manipuluar çmimet e blerjes dhe shitjes.”

Eksperti përfundoi duke nënvizuar se investimet nuk janë menaxhuar si duhet, shpenzimet e panevojshme për konsulenca dhe struktura administrative rëndojnë mbi konsumatorët shqiptarë dhe çmimet e energjisë elektrike janë më të lartat në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb